Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka shprehur se nëse do të ndodhte një koalicion mes partitë e reja politike dhe përfaqësuesve të protestës mund të fitojë zgjedhjet në Tiranë.
I ftuar në News24, Shehaj është shprehur se mundësia e fitores së mundshme mbështetet në sondazhe të rregullta, teksa kujtoi se edhe vitin e kaluar kishte propozuar një kandidaturë apolitike për Bashkinë e Tiranës, të mbështetur nga partitë e reja.
“Këto janë nga survejime të rregullta, sondazhe të rregullta. Ne kemi bërë propozimin edhe vitin e kaluar për Bashkinë e Tiranës, të nxjerrim një kandidaturë apolitike. Ajo formulë praktikisht nuk funksionoi, sepse nuk u bënë zgjedhjet, por vlen dhe sot. Kemi një faktor të ri, që janë protestuesit dhe protesta, dhe bëhet thirrje për ndryshim të klasës politike”, u shpreh Shehaj.
Ndër të tjera, kryetari i Partisë Mundësia, shtoi se janë të hapur për bashkëpunim dhe se një kandidat i mbështetur vetëm nga partitë e reja dhe protestuesit ka gjasa të fitojë
“Nëse isha i bindur se në zgjedhjet e kaluara një kandidat i mbështetur nga gjithë opozita fitonte, sot them se një kandidat i mbështetur vetëm nga partitë e reja dhe protestuesit ka gjasa të fitojë. Nga ana jonë e kemi thënë që jemi të hapur për bashkëpunim. Kur të duan, jemi të gatshëm”, deklaroi kreu i Partisë Mundësia.



