Kryeministri Edi Rama është i bindur se Shqipëria do t’i përmbyllë negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian brenda vitit 2027, nëse procesi vijon me ritmin aktual.
“Nëse vijojmë kështu, do t’i përmbyllim negociatat sipas kalendarit të përcaktuar dhe kjo do të tregonte se ne e kemi bërë punën tonë. Por, kur vjen puna te pjesa politike, pra te 27 vendet që duhet të bien dakord, është si puna e asaj që kam thënë edhe më herët: janë 27 mjekë që duhet të bien dakord për një pacient”, u shpreh Rama i ftuar në një intervistë me Maria Tadeo mbi “rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian dhe sfidat e së ardhmes”, në samitin e Euroneës për Zgjerimin.
Duke theksuar se jo gjithmonë gjithçka është çështje afatesh, Rama shtoi se mbi të gjitha për Shqipërinë rëndësi ka përfundimi i procesit të transformimit institucional në kuadër të integrimit evropian.
“Nuk jam kaq i ri në këtë detyrë dhe kam parë gjëra që nuk do t’i besonit. Unë shoh afate që janë fashitur rrugës. Kam parë sesi BE-ja nuk i ka realizuar premtimet e veta brenda afatit dhe kam parë sesi BE-ja mund të realizojë edhe më shumë dhe më shpejt nga sa pritet për të arritur rezultate të caktuara. Prandaj, nuk di të them për afatet. Ajo që është fakt është se ne po punojmë shumë fort me një plan të përbashkët, një plan të mbështetur plotësisht nga Komisioni Evropian, për t’i përmbyllur negociatat në fund të vitit 2027″, tha më tej.



