Qeveria ka miratuar një vendim për kompensimin financiar të shoqërive të transportit publik, të cilat do të përfitojnë 50 lekë për çdo litër karburanti të konsumuar gjatë periudhës qershor–tetor 2026.
Vendimi përfshin kompanitë që operojnë në linjat qytetëse, rrethqytetëse dhe ndërqytetëse, ndërsa fondi total i parashikuar për këtë skemë është 209,022,872 lekë, që do të përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2026.
Sipas vendimit, kompensimi do të përllogaritet mbi bazën e konsumit të dokumentuar të karburantit gjatë pesë muajve, por për çdo shoqëri nuk do të tejkalojë 110% të sasisë mesatare mujore të karburantit të konsumuar gjatë periudhës mars–maj 2026.
Shoqëritë e transportit duhet të paraqesin kërkesën për kompensim vetëm një herë, pranë administratës tatimore ku janë të regjistruara.
Aplikimet do të pranohen nga data 10 deri më 16 nëntor 2026.
Për përfitimin e kompensimit, subjektet duhet të dorëzojnë dokumentacionin përkatës, përfshirë licencën e transportit, të dhënat identifikuese, llogarinë bankare dhe faturat e furnizimit me karburant.
Kompanitë që ushtrojnë edhe aktivitete të tjera duhet të paraqesin dokumentacion shtesë, përfshirë vetëdeklarimin e sasisë së karburantit të përdorur për transportin publik dhe fletëdaljet sipas targave të automjeteve.
Nëse dokumentacioni rezulton i paplotë, administrata tatimore duhet ta kthejë kërkesën për plotësim brenda pesë ditëve pune.
Pas verifikimit, Tatimet kanë 15 ditë pune për të dërguar urdhërshpenzimet pranë degës përkatëse të Thesarit, ndërsa ky i fundit duhet të kryejë pagesat brenda pesë ditëve pune nga marrja e dokumentacionit.
Vendimi parashikon edhe kontrolle në terren nga administrata tatimore, në rast se konstatohen pasaktësi në dokumentacion, me qëllim shmangien e abuzimeve.
Për shoqëritë që nuk kanë ushtruar aktivitet gjatë gjithë periudhës mars–maj 2026, baza e përllogaritjes do të përcaktohet sipas konsumit të dokumentuar gjatë muajve të plotë të aktivitetit.
Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe ngarkon Ministrinë e Financave dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve me zbatimin e tij.
Kompensimi u jepet drejtpërdrejt shoqërive të transportit dhe nuk përbën ulje automatike të çmimit të biletës për qytetarët.



