Ftesa e Berishës për të bashkuar forcat me Adriatik Lapajn, Agron Shehajn dhe Arlind Qorin që të bashkëpunojnë për dorëheqjen e kryeministrit Rama, është refuzuar. Tre politikanët, të ftuar mbrëmjen e djeshme në emisionin “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus, kundërshtuan bashkëpunimin me demokratët.
Kreu i “Shqipëria Bëhet” Adriatik Lapaj kërkoi që Sali Berisha dhe Edi Rama të largohen së bashku nga skena politike, ndërsa tha se nuk e barazon dot liderin demokrat me simpatizantët apo deputetët e tij.
“Rama dhe Berisha duhet të tërhiqen nga skena politike, nuk kanë çfarë t’i japin Shqipërisë sot. Por nuk vendos dot shenjë barazimi mes Berishës dhe demokratëve”, deklaroi Lapaj.
Përgjatë fjalës së tij, Lapaj doli me propozimin që zgjedhjet lokale që do të mbahen më 9 maji, të shërbejnë si mundësi për të nxjerrë kandidatë nga protestat, studentët dhe partitë e reja. Ndërsa theksoi se bashkimi jo domosdoshmërisht duhet të nënkuptojë marrëveshje mes kryetarëve të partive.
Ftesa e Berishës ështe refuzuar dhe nga “Partia Mundësia” pasi Agron Shehaj refuzoi koalicionin me Berishën. Ndërkaq, kryetari i Partisë Mundësia kujtoi momentin kur kishte refuzuar edhe ftesën e Berishës për koalicion në zgjedhjet e vitit 2025.
“Kur na ftoi Berisha për të bërë koalicion në vitin 2025, nuk i thamë jo se nuk ishim mjaftueshëm atdhetarë, jo se kishim ndonjë ego. Por shumë thjesht nuk e pamë të arsyeshme dhe shyqyr Zotit nuk e bëmë një gjë të tillë”, deklaroi ai.
Në të njëjtën linjë me dy politikanët e sipërpërmendur ishte dhe kreu i “Lëvizja Bashkë”, Arlind Qori i cili jo vetëm përjashtoi çdo mundësi bashkëpunimi me Berishën, por e cilësoi këtë të fundit “sivëllain” politik të Edi Ramës.
“Edi Rama është pushtetari më i keq, por Berisha është sivëllau i tij. Berisha ka edhe një dozë të parrëfyeshme pafytyrësie”, deklaroi kreu i Lëvizjes Bashkë.
Gjatë fjalës së tij, Qori akuzoi Ramën dhe Berishën se ndajnë interesa të përbashkëta me oligarkë dhe ndërtues, ndërsa kritikoi kryetarin e PD-së për ftesën për bashkëpunim vetëm pak ditë pasi e kishte sulmuar publikisht.
Mbrëmjen e djeshme, në intervistën e dhënë për “Noë me Erla Mëhillin”, lideri demokrat Sali Berisha, përvecse bëri ftesë për të bashkuar forcat me partitë e tjera opozitare, foli dhe për mundësinë e krijimit të një lidershipi të ri në PD.
Gjatë fjalës së tij Berisha deklaroi se largimi i tij nga drejtimi i PD-së do të ndodhë vetëm nëse do të ndiejë se nuk ka më mundësi fizike ose mendore për të përmbushur detyrat.
“Momentin që unë të ndjej pamundësinë më të vogël fizike në detyrimet e mia fizike ose mendore, absolutisht, me lehtësi dhe pa vështirësi do të them ‘Goodbye’. E kam lidhur këtë, por në kohën kur unë ndiej të njëjtën performancë dhe me një eksperiencë shumë të çmuar, unë nga beteja…”, u shpreh Berisha.
I pyetur nëse Belind Këlliçi mund të jetë një lider i ri i Partisë Demokratike, Berisha tha se gara për drejtimin e partisë mbetet e hapur, por nuk dha një afat konkret për largimin e tij.
Gjatë intervistës, kryedemokrati u ndal pak dhe te përplasja e mëparshme me Lulzim Bashën, duke pretenduar se vendimi për t’u rikthyer në krye të PD-së erdhi pasi konstatoi se po synohej kontrolli i partisë dhe se Basha kishte vepruar kundër tij.
Më tej Berisha u ndal dhe të përballja me Edi Ramën, të cilën e cilësoi si një nga periudhat më interesante të jetës së tij politike. Ndërsa u bëri ftesa Lapajt, Shehajt dhe Qorit që të bëhen bashkë për rrëzimin e Edi Ramës, mirëpo u refuzua.



