Një rrjet i organizuar i trafikimit të emigrantëve, që përdorte territorin shqiptar për kalimin e paligjshëm drejt Greqisë, është goditur nga autoritetet greke në bashkëpunim me Europolin.
Operacioni u zhvillua në Selanik dhe në rajonin e Thesprotisë, pranë kufirit shqiptar, ku u arrestuan 10 persona, mes tyre një grua shqiptare 33 vjeçe. Shtatë prej të arrestuarve janë shtetas grekë, ndërsa dy të tjerë sirianë.
Sipas hetimeve, organizata kriminale vepronte të paktën që prej qershorit 2025 dhe dyshohet se kishte organizuar 41 kalime të paligjshme kufitare, duke transportuar mbi 500 emigrantë, kryesisht nga Nepali, Jemeni dhe Kina.
Emigrantët kalonin në këmbë përmes shtigjeve të vështira malore nga Shqipëria drejt territorit grek. Lëvizjet e tyre janë dokumentuar edhe përmes pamjeve të realizuara nga dronët e Policisë.
Pas kalimit të kufirit, anëtarët e rrjetit i strehonin përkohësisht në banesa dhe çadra të improvizuara në zonën e Thesprotisë, ku u shisnin ushqime, ujë dhe karta telefoni me çmime shumë të larta.
Më pas organizohej transporti i emigrantëve drejt Athinës, Patrës dhe zonave bujqësore të Peloponezit.
Sipas autoriteteve, shumë prej emigrantëve përfundonin duke punuar pa sigurime dhe dokumentacion të rregullt. Në disa raste, trafikantët dyshohet se u mbanin pasaportat derisa të shlyenin përmes punës borxhet e krijuara për transportin.
Fitimet e paligjshme të rrjetit përllogariten në të paktën 750 mijë euro.
Gjatë operacionit, autoritetet ndaluan edhe 21 emigrantë pa dokumente të rregullta qëndrimi, ndërsa sekuestruan automjete, telefona celularë, para dhe pasaporta.
Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të dyshuar si pjesë e kësaj veprimtarie kriminale dhe dokumentimin e plotë të aktivitetit të organizatës.



