12 protestues janë gjobitur në protestën e zhvilluar një ditë më parë përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë.
Sipas policisë, protestuesit nuk iu janë bindur thirrjeve të përsëritura të efektivëve, të bëra përmes megafonit, për lirimin e rrugës dhe lejimin e qarkullimit të mjeteve.
“Në zbatim të Aktit Normativ nr. 5, datë 28.10.2026, konkretisht pikës 2 të nenit 24/1, janë plotësuar 12 procesverbale për konstatimin e kundërvajtjeve administrative të kryera gjatë tubimit të zhvilluar pasditen e djeshme, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për shtetas që kanë bllokuar rrugën dhe kanë penguar qarkullimin e mjeteve të transportit, pavarësisht thirrjeve të përsëritura të punonjësve të Policisë, nëpërmjet megafonit”, njofton policia.
Për secilin prej protestuese është vendosur gjobë në vlerën 5 000 lekë. Gjoba është një prej masave, pjesë e paketës ligjore kundër dhunës gjatë tubimeve.



