Ish-ministri i Kulturës së Kosovës, Astrit Haraqia, është mes të arrestuarve në një operacion të madh antidrogë në rajonin e Prishtinës.
Operacioni, i quajtur “Heshtja”, u zhvillua më 14 nëntor, në kuadër të hetimeve për një grup të dyshuar për trafikim dhe shpërndarje kokaine. Sipas mediave kosovare, përveç Haraqisë u arrestuan edhe J. S. (42 vjeç), A. Xh. R. (26), A. M. (30) dhe G. F. (38). Një person i gjashtë u lirua dhe do të procedohet në gjendje të lirë.
Gjatë aksionit u sekuestruan 1,6 kg kokainë, 16 mijë euro, orë luksoze Rolex dhe Franck Muller, telefona, një armë zjarri, municion dhe pajisje që dyshohet se përdoreshin për paketimin e drogës. Në sekuestro u vunë edhe disa makina luksoze: Mercedes-Maybach, Mercedes GLE, Porsche, Audi dhe Volkswagen Tiguan. Vlera e përgjithshme e pasurisë së sekuestruar arrin rreth 301 mijë euro.
Haraqia mohon çdo përfshirje. Sipas informacioneve, ai ka bashkëpunuar plotësisht me hetuesit dhe u ka dhënë fjalëkalimet e telefonave. Në shtëpinë e tij nuk u gjet drogë apo ndonjë send që ta lidhë drejtpërdrejt me veprimtarinë e dyshuar. U sekuestruan 7 mijë euro, të cilat ai thotë se janë të fëmijëve të tij.
Burime për gazetën Sinjali thonë se Haraqia ka pranuar një miqësi të gjatë me njërin nga të arrestuarit, por mohon sërish çdo lidhje me trafikun e drogës.
Me vendim të prokurorisë, të dyshuarit u ndaluan për 48 orë. Hetimet vazhdojnë.



