Daphne Caruana Galizia po hetonte dyshime për korrupsion që përfshinin biznesmenin Yorgen Fenech dhe zyrtarë të lartë të qeverisë së Maltës në kohën kur u vra me një makinë-bombë në tetor të vitit 2017, këtë dëshmoi në gjykatë djali i saj, Matthew Caruana Galizia,
Biznesmeni Fenech i mohoi akuzat se ka porositur dhe financuar vrasjen e gazetares, gjatë procesit gjyqësor ndaj tij.
Matthew Caruana Galizia, inxhinier softuerësh dhe pjesë e ekipit që fitoi Çmimin Pulitzer për hetimin e Panama Papers, tha se kishte ndihmuar nënën e tij në analizimin e dokumenteve konfidenciale që lidhnin Maltën me kompani offshore dhe me projektin energjetik Electrogas. Ai e përshkroi përmbajtjen e dokumenteve si tronditëse.
“Ishte sikur u hap një portë dhe mund të shihja drejt ferrit”, tha ai para jurisë, duke iu referuar mijëra email-eve të rrjedhura nga kompania Electrogas, pjesërisht në pronësi të Yorgen Fenech.
Sipas dëshmisë së tij, dokumentet e Panama Papers dhe burimet e nënës së tij tregonin se ministri i atëhershëm i Energjisë, Konrad Mizzi, dhe shefi i kabinetit të kryeministrit, Keith Schembri, kishin krijuar kompani offshore menjëherë pas marrjes së detyrës. Ai tha gjithashtu se një firmë kontabiliteti po i ndihmonte të hapnin llogari bankare për këto kompani.
Në kohën e vrasjes, Daphne Caruana Galizia po analizonte një tjetër rrjedhje informacioni, që përmbante mijëra email-e të Electrogas. Matthew dëshmoi se, pasi organizoi dokumentet në një sistem të kërkueshëm, kuptoi se emri i Yorgen Fenech shfaqej vazhdimisht në komunikimet e kompanisë.
Kur u pyet nga prokuroria për atë që nëna e tij i kishte thënë rreth procesit të tenderimit të projektit energjetik, ai u përgjigj se ajo e konsideronte atë të korruptuar. Gjykatësi ndërhyri duke sqaruar se kjo përbënte mendimin e gazetares dhe jo një fakt të provuar në gjykatë.
Matthew tregoi se Daphne kishte planifikuar të krijonte një ekip ndërkombëtar gazetarësh për të hetuar dokumentet e Electrogas, në një bashkëpunim të ngjashëm me atë të Panama Papers. Ai tha se kishte kontaktuar gazetën The Guardian për nisjen e projektit, por pak muaj më vonë nëna e tij u vra.

Pas atentatit, ai themeloi Daphne Project, një bashkëpunim ndërkombëtar i mediave, ku morën pjesë edhe The Guardian dhe Reuters, me qëllim vazhdimin e hetimeve mbi Electrogas dhe identifikimin e personave përgjegjës për vrasjen.
Sipas dëshmisë, hetimet e këtij projekti zbuluan prova që sugjeronin se Fenech kishte planifikuar pagesa ryshfeti për të siguruar koncesionin e termocentralit. Fenech, Konrad Mizzi dhe Keith Schembri kanë mohuar vazhdimisht çdo akuzë për korrupsion. Gjatë seancës, gjykatësi urdhëroi që dëshmia të përqendrohej vetëm në faktet e mbështetura nga dokumentet e paraqitura në gjykatë.
Në fund të dëshmisë së tij, Matthew përshkroi momentet e atentatit. Ai tha se po punonte në shtëpi kur dëgjoi shpërthimin dhe vrapoi drejt vendit të ngjarjes.
“Pashë rrugën në flakë, copa metali dhe trupi. Boria e makinës nuk ndalonte. Brenda pashë një hije dhe kuptova se ishte mamaja ime”, rrëfeu ai.
Ai shtoi se pas vrasjes hoqi dorë nga karriera e tij për t’iu përkushtuar kërkimit të drejtësisë.
“Lashë punën dhe u ktheva në Maltë. Ishte misioni ynë të siguronim që përgjegjësit të mbaheshin përgjegjës. Kjo pati një kosto të madhe personale”, tha Matthew.
Gjyqi ndaj Yorgen Fenech për akuzën e bashkëpunimit në vrasjen e Daphne Caruana Galizias vazhdon, ndërsa ai vazhdon të deklaroje se është i pafajshëm.


