Imagjino të hapësh aplikacionin e bankës dhe të shohësh papritur 10,000 euro më shumë në llogarinë tënde. Nuk pret asnjë pagesë, nuk ke shitur asgjë dhe nuk e njeh personin që i ka dërguar.
Pyetja e parë për shumë njerëz do të ishte: A janë tani paratë e mia?
Përgjigjja, në parim, është jo.
Fakti që një shumë ka mbërritur në llogarinë tënde për shkak të një transferte të gabuar nuk do të thotë automatikisht se ke fituar të drejtën për ta mbajtur apo shpenzuar atë.
Transfertat bankare përmbajnë të dhëna që identifikojnë paguesin, përfituesin dhe llogaritë përkatëse, ndërsa bankat dhe ofruesit e pagesave operojnë sipas procedurave të përcaktuara për transfertat e fondeve.
Po sikur t’i shpenzosh?
Këtu situata mund të komplikohet.
Nëse e kupton se paratë nuk të përkasin dhe megjithatë i tërheq, i transferon apo i shpenzon, fakti që ato mbërritën vetë në llogarinë tënde nuk i kthen në të ardhura të tuat. Dërguesi mund të kërkojë rikuperimin e shumës dhe çështja, në varësi të rrethanave, mund të kalojë nga një problem bankar në një mosmarrëveshje ligjore.
Çfarë duhet të bësh?
Nëse sheh një transfertë të panjohur, mos e shpenzo dhe mos ia kthe vetë paratë një personi që të kontakton privatisht. Kontakto bankën dhe kërko verifikimin e transaksionit.
Kjo e fundit është veçanërisht e rëndësishme edhe për shkak të mashtrimeve: dikush mund të pretendojë se të ka dërguar para “gabimisht” dhe të kërkojë t’ia transferosh në një llogari tjetër.
Pra, nëse nesër zgjohesh me 10 mijë euro të panjohura në llogari, mos planifiko ende pushimet.
Telefonata e parë duhet të jetë te banka.



