Mijëra qytetarë janë mbledhur në Prishtinë për të gjashtën natë radhazi, duke protestuar kundër aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe duke kërkuar lirimin e tyre.
Protesta është zhvilluar në Sheshin “Skënderbeu”, ku qytetarët dhe organizatorët kanë përsëritur thirrjet për lirimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Në protestën e sotme ka qenë i pranishëm edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Nga sheshi, organizatorët iu përgjigjën edhe ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili kishte përcjellë “të fala” nga Haga, duke theksuar se protestat do të vazhdojnë deri në ndërmarrjen e veprimeve nga institucionet e Kosovës.
“President, të kemi dëgjuar! Zëri i këtij sheshi ka mbërritur deri në Hagë. Zëri i studentëve tanë. Zëri i rinisë sonë. Zëri i familjeve të dëshmorëve. Zëri i veteranëve. Zëri i secilit qytetar që për gjashtë net rresht ka ardhur këtu. Dhe ky zë do të vazhdojë të dëgjohet”, tha organizatori, Çlirim Haziri.
Protestat kanë vijuar për gjashtë net me radhë, ndërsa gjatë ditës në Prishtinë kanë protestuar edhe studentë të universiteteve, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Dhomave të Specializuara për ish-krerët e UÇK-së.
Thirrjet e protestuesve janë përqendruar te kërkesa për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së dhe te reagimi i institucioneve të Kosovës ndaj aktgjykimit.



