Edhe pa shpërthyer skandali tronditës i drejtueses së SHISH, ka pasur mjaftueshëm denoncime, afera dhe probleme në qeverisje që Partia Demokratike të mobilizonte anëtarësinë dhe shoqërinë dhe t’i printe në shesh.
Por pas zbulimit se kreu i Shërbimit Informativ të Shtetit nxirrte sekrete dhe ndihmonte një të akuzuar nga drejtësia dhe të shpallur në kërkim, gjëja e parë që njerëzit prisnin ishte si do të reagonte PD.
Janë bërë disa mbledhje atje, grupi e kryesie këto ditë, por në asnjërën prej tyre nuk pamë një shpallje date të protestës.
Pse ndodh kjo? Pse PD heziton të mbushë sheshin, në një nga momentet më të favorshme për të dhe më të vështira për qeverinë?
Lëvizja gati 120 ditore në bulevard, nuk është në këto kushte një arsye bindëse. Eshtë më shumë një justifikim.
Tirana ka sheshe dhe bulevarde sa të duash për të manifestuar zemëratën dhe revoltën. Ka dhe orare plot për ta bërë këtë marshim para zyrës së përgjegjësit kryesor, nëse nuk do të dëmtosh organizimin e përnatshëm qytetar.
Po çfarë mungon?
Për fat të keq, duket se PD nuk po rritet dhe nuk po merr konsensus e simpati nga shoqëria, pavarësisht keqqeverisjes dhe skandaleve të rilindjes. Dhe kjo e vë atë në një situatë mjaft sfiduese. Nëse qëndrimi në vendnumëro, ose më keq, tkurrja e kësaj force politike del në dritë dhe konstatohet nga një organizim masiv si protesta, kjo do të ishte fatale.
Dhe me siguri, këto të dhëna dhe ndjesi, lidershipi i kësaj partie i di dhe i ka. Po të ndodhë që në këtë atmosferë kur zemërimi popullor është në kulm, kur qeveria është padyshim në rënie, të vërtetohet se PD jo vetëm nuk ka pasur ngritje por në të kundërt ka humbur pasues, ky do të ishte konkluzion i dhimbshëm.
Për të shmangur këtë ballafaqim me të vërtetën, për të fituar kohë, për ta lënë që skandalet të bëjnë të vetën e të rinjtë e aktivistët e përnatshëm të veten, PD duket se po shtyn e shtyn vendimin, shtyn e shtyn datën.
Dhe është prezente me shumë fjalë e fjalime, nëpër studio e në konferenca. Një prezencë anemike në krahasim me çfarë ka nevojë vendi sot.
Frika është se ripërtëritja mbetet një slogan i bukur, por larg të qënit realitet i prekshëm.
Albania Today



