Një protestë e fuqishme ka shpërthyer në burgun e Pizës në Itali, ku mes të burgosurve që u përfshinë në revoltë raportohet se kishte edhe shtetas shqiptarë.
Ngjarja nisi mbrëmjen e së mërkurës, më 30 shtator, në repartin e dytë të seksionit gjyqësor të burgut. Sipas raportimeve, rreth 40 të burgosur u barrikaduan në një pjesë të godinës, duke kërkuar të takoheshin me drejtuesit e institucionit dhe komandantin e policisë së burgut.
Situata vijoi për disa orë dhe u mbyll rreth orës 05:00 të mëngjesit, pas ndërhyrjes së ndërmjetësve të policisë së burgut.
Sipas rindërtimit të ngjarjes, protesta shpërtheu pasi disa të burgosur pretenduan se kishin zbuluar insekte dhe pajisje elektronike të fshehura në qelitë e tyre, të cilat dyshohet se ishin vendosur për qëllime hetimore.
Të burgosurit kërkuan shpjegime nga drejtuesit e burgut dhe kundërshtuan atë që e konsideruan si cenim të privatësisë së tyre.
Situata u tensionua më tej dhe, sipas raportimeve, pati edhe përplasje mes disa të burgosurve dhe efektivëve të policisë së burgut. Për këtë arsye, në institucion mbërritën edhe ambulanca për të dhënë ndihmën e nevojshme.
Një nga momentet më të pazakonta të ngjarjes ishte transmetimi i protestës drejtpërdrejt në TikTok nga një prej të burgosurve.
Gjatë transmetimit, të burgosurit folën në italisht dhe shqip, ndërsa pretenduan se ishin dhunuar nga efektivët dhe se ishin goditur me shkopinj gome. Ata kërkuan gjithashtu që të mos monitoroheshin në qelitë e tyre dhe të kishin mundësi të komunikonin privatisht.
Transmetimi u ndërpre më vonë.
Pas përfundimit të protestës, autoritetet nisën procedurat për rikthimin e situatës nën kontroll. Disa prej të burgosurve janë arrestuar dhe transferuar, ndërsa të tjerë pritet të zhvendosen në orët në vijim.
Shkak për transferimet është bërë edhe fakti se pjesa e burgut ku ndodhi protesta raportohet se ka pësuar dëme të konsiderueshme.
Hetimet pritet të përcaktojnë rrethanat e plota të revoltës, përfshirjen e të burgosurve dhe natyrën e pajisjeve që dyshohet se janë gjetur në qeli.



