Alfred Cako ka publikuar një reagim në rrjetet sociale, ku ngre pikëpyetje mbi zhvillimin e teknologjisë, inteligjencës artificiale dhe ndikimin që, sipas tij, këto procese mund të kenë te shoqëria deri në vitin 2030.
Në postimin e tij, Cako ndalet te teknologjia 6G, përdorimi gjithnjë e më i madh i inteligjencës artificiale dhe çështje që lidhen me privatësinë, shëndetin dhe bioteknologjinë.
“Viti 2030 po afron. A jemi të përgatitur të mbijetojmë fizikisht dhe shpirtërisht?”, shkruan ai.
Cako u bën thirrje ndjekësve të tij që të mos i pranojnë pa diskutim pretendimet zyrtare për risitë teknologjike dhe të kërkojnë, sipas tij, prova mbi përfitimet dhe rreziqet që mund të sjellin.
“Vërini në dyshim pretendimet zyrtare për çdo risi. Përdorni intuitën, bëni raportin e dobisë dhe dëmit, hulumtoni vetëm provat”, shkruan Cako.
Në vijim, ai përdor një gjuhë më të fortë, duke paralajmëruar për atë që e cilëson si një “luftë të Elitës kundër shumicës”.
“Mbroni shëndetin tuaj! Mbroni mendjen tuaj nga lufta e Elitës kundër shumicës! Mbroni si sytë e ballit lirinë tuaj!”, shkruan ai.
Cako e mbyll postimin me thirrjen që qytetarët të qëndrojnë të informuar, të përgatitur dhe “me këmbë në tokë”.
Deklaratat janë qëndrime personale të Alfred Cakos dhe nuk përfaqësojnë përfundime të provuara shkencërisht mbi teknologjinë 6G, inteligjencën artificiale apo ndikimin e tyre në shëndetin e njeriut.



