Dy persona të kërkuar ndërkombëtarisht për veprimtari kriminale në fushën e trafikimit të narkotikëve dhe kalimit të paligjshëm të emigrantëve janë arrestuar në Rusi dhe Itali.
Operacioni policor i koduar “The Wanted” është zhvilluar në dy faza, në bashkëpunim mes Interpol Tiranës dhe strukturave homologe në këto dy vende.
Në Rusi është arrestuar Shpëtim Aliu, 51 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Sipas Policisë, në qershor të vitit 2026, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Ndërkohë, në Itali është arrestuar Alok Mittra, 47 vjeç.
Ai ishte dënuar në vitin 2024 nga GJKKO me 15 vite burgim për “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Falsifikim të dokumenteve”, “Grup të strukturuar kriminal” dhe “Kryerje të veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Sipas hetimeve, Mittra dyshohet se ka qenë pjesë e një grupi që gjatë viteve 2023-2024 organizoi kalimin e paligjshëm të rreth 253 shtetasve nga Bangladeshi, kundrejt përfitimeve financiare.
Hetuesit thonë se shtetasit e huaj silleshin në Shqipëri nga Dubai dhe pajiseshin me kontrata pune fiktive, me qëllim sigurimin e lejeve të qëndrimit.
Pas marrjes së dokumentacionit, ata tentonin të largoheshin drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Dy të arrestuarit pritet t’i nënshtrohen procedurave për ekstradim drejt Shqipërisë.



