Një 41-vjeçar është arrestuar në Tiranë, pasi dyshohet se i vodhi me dhunë çantën një shtetaseje gjermane te Liqeni Artificial, duke e kërcënuar me thikë.
Ngjarja u zbardh në kuadër të operacionit policor të koduar “Reaction”, të organizuar nga Komisariati i Policisë Nr. 1 menjëherë pas denoncimit.
Sipas Policisë, i arrestuari është shtetasi J. S., 41 vjeç, banues në Tiranë.
Ai dyshohet se i ka marrë me dhunë çantën 50-vjeçares gjermane T. K., ndërsa e ka kanosur me thikë.
Pas veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, policia bëri të mundur identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit, ndërsa sendet e vjedhura u gjetën dhe iu kthyen turistes.
Një ditë pas ngjarjes, 50-vjeçarja është paraqitur në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 për të falënderuar efektivët që u angazhuan për zbardhjen e rastit.
Ajo ka shprehur mirënjohje për reagimin e shpejtë, arrestimin e autorit të dyshuar dhe rikuperimin e sendeve të saj personale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.



