Deputetja e pavarur Marjana Koçeku feston sot ditëlindjen e 26-të. Këtë e ka bërë të ditur vetë ligjvënësja përmes një fotografie të publikuar në rrjetet sociale, duke shprehur mirënjohjen për rrugëtimin jetësor të deritanishëm.

“Mirënjohëse për jetën, për njerëzit, për rrugëtimin dhe për gjithçka që më ka mësue koha e jeta”, shkruan deputetja Marjana Koçeku.

Urimet për të janë të shumta, veçanërisht nga qytetarët që janë kritikë të mazhorancës socialiste, ku ajo aderonte deri pak muaj më parë, kur me nisjen e protestave vendosi të largohej nga Partia Socialiste.

Marjana Koçeku është zgjedhur deputete në Qarkun e Shkodrës dhe një vit pas zgjedhjeve, vendosi të njoftonte zyrtarisht daljen e pavarur. Ajo njoftoi këtë pranverë se parimet politike të cilat i ishin premtuar nga Edi Rama, nuk kishin lidhje me realitetin.

E njohur edhe si “Neomalësorja”, për shkak të agroturizmit me këtë emër që ajo drejton në Theth dhe me të cilin u bë e njohur ndërkombëtarisht, Marjana Koçeku është ndër deputetet më të reja të Kuvendit të Shqipërisë.