Kushtet e përkeqësuara atmosferike në Gjirin e Vlorës dhe në det të hapur kanë sjellë kufizime për lundrimin e mjeteve të vogla lundruese dhe atyre të peshkimit.
Sipas njoftimit të autoriteteve, duke filluar nga sot, në orën 16:00, deri më 14 nëntor, në orën 06:00, do të pezullohet dhënia e lejeve të nisjes për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit që operojnë jashtë Gjirit të Vlorës.
Sipas parashikimeve meteorologjike, pritet që era të fryjë nga drejtimi jug-juglindje, me forcë 7-8 ballë dhe shpejtësi 20-35 m/s. Ndërkohë, lartësia e dallgëve parashikohet të arrijë nga 2 deri në 4.5 metra, duke krijuar kushte të vështira për lundrimin.
Në këto kushte, autoritetet u kanë bërë thirrje të gjitha subjekteve dhe institucioneve që ushtrojnë aktivitet në fushën detare të marrin masat e nevojshme për sigurimin e mjeteve në port, si dhe për të rritur gatishmërinë e ekuipazheve, me qëllim shmangien e situatave emergjente.



