Legalizimet, regjistrimi i pronave, pajisja me dokumentacion e banesave të ndërtuara para vitit 1991 dhe digjitalizimi i Kadastrës ishin disa nga çështjet për të cilat raportoi Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lorena Goxhobelli, në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale.
Sipas Goxhobellit, regjistrimi fillestar ka përfunduar në 95.6% të territorit të vendit, ndërsa synimi është që procesi të mbyllet plotësisht brenda vitit 2027. Vetëm gjatë dy viteve të fundit janë përfunduar 163 zona kadastrale, kundrejt 64 zonave gjatë periudhës 2016–2024.
Një tjetër proces që prek drejtpërdrejt qytetarët është legalizimi i ndërtimeve informale. Drejtoresha e Kadastrës bëri të ditur se gjatë vitit 2025 janë marrë 26,101 vendime përfundimtare, ndërsa në nëntë muajt e parë të vitit 2026 janë trajtuar 28,004 kërkesa. Deri në fund të vitit, objektivi është trajtimi i mbi 35 mijë ndërtimeve informale.
Për qytetarët që kanë banesa të vjetra, të ndërtuara para vitit 1991, Kadastra ka nisur edhe procesin “Derë më Derë”, përmes të cilit punonjësit kryejnë verifikimet në terren, veçanërisht në zonat rurale. Aktualisht puna po zhvillohet në 44 zona, ndërsa që prej shtatorit janë evidentuar rreth 1,500 banesa dhe janë nxjerrë 298 vendime përfundimtare.
Sa i përket tokës bujqësore, gjatë vitit 2025 janë regjistruar 26,769 pasuri, me një sipërfaqe prej 8,715 hektarësh. Për kalimin e tokës nga përdorimi në pronësi, objektivi për vitin 2026 është pajisja e përdoruesve me 1,000 tituj pronësie.
Goxhobelli u ndal edhe te digjitalizimi i dokumentacionit të pronës. Ajo bëri të ditur se ka përfunduar digjitalizimi i 4.3 milionë kartelave të pasurive, ndërsa është skanuar i gjithë dokumentacioni tekniko-ligjor i pronës, rreth 54 milionë fletë. Aktualisht, puna është përqendruar në digjitalizimin e mbi 39 mijë planshetave kadastrale, proces që synohet të përfundojë deri në fund të vitit 2026.
Ndryshime janë bërë edhe në mënyrën e marrjes së disa shërbimeve. Vendimet e legalizimit dhe ato për shtëpitë e vjetra dërgohen drejtpërdrejt në e-Albania, ndërsa qytetarët mund të marrin online edhe faturën e parcelës ndërtimore, pa qenë nevoja të paraqiten fizikisht pranë zyrave të Kadastrës.
Gjatë vitit 2025, sipas të dhënave të paraqitura nga Goxhobelli, ASHK ka ofruar 2.5 milionë shërbime, 35% më shumë se një vit më parë, dhe ka lëshuar 260 mijë certifikata pronësie. Drejtoresha e Kadastrës pranoi se, pavarësisht rezultateve të raportuara, mbetet ende punë për reduktimin e vonesave dhe garantimin e të njëjtit standard shërbimi në të gjitha drejtoritë kadastrale.
Gjatë seancës dëgjimore, kryetari i Komisionit dhe deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhafaj, u ndal te një tjetër problematikë, ajo e integritetit të punonjësve të Kadastrës. Ai tha se punonjësit ndaj të cilëve ka vendime gjyqësore që certifikojnë shkeljen apo zbatimin e keq të ligjit nuk mund të vijojnë të jenë pjesë e institucionit.
“Mjafton të marrim shumë vendime gjyqësore, shumë vendime penale që rëndojnë mbi punonjës të veçantë të Kadastrës dhe mendoj që s’mund të jenë më pjesë e atij institucioni nëse ka një vendim gjyqësor që certifikon pikërisht shkeljen apo zbatimin e keq të ligjit”, tha Xhafaj.
Në përgjigje, Goxhobelli tha se korrupsioni mbetet një nga shqetësimet kryesore të qytetarëve ndaj administratës dhe bëri të ditur se janë shtuar mekanizmat e kontrollit.
Sipas Goxhobellit, në dy vitet e fundit janë dhënë 207 masa disiplinore më shumë krahasuar me periudhën 2019–2023, ndërsa gjatë periudhës 2024–tetor 2026 janë bërë 11 referime në Prokurori, kundrejt 5 kallëzimeve penale në periudhën 2019–2023.
“Korrupsioni, pa diskutim, është një pengesë kryesore dhe një nga shqetësimet kryesore që qytetarët kanë jo vetëm ndaj administratës së Kadastrës, por ndaj administratës në tërësi.
Kemi rritur mekanizmat e kontrollit, edhe pse personalisht mendoj që janë shumë të nevojshëm, por nuk janë masat e vetme që duhen marrë ndaj luftës ndaj korrupsionit, edhe ndaj luftës së perceptimit të korrupsionit.
Për sa i përket kontrolleve, ne kemi rritur masat disiplinore. Kemi dhënë 207 masa disiplinore më shumë në këto dy vite, krahasuar me periudhën 2019–2023. Kemi ndërmarrë hapa dhe referuar në Prokurori konstatimet për vepra penale.Nëse gjatë 2019–2023 janë bërë 5 kallëzime penale, ne, 2024–tetor 2026, kemi bërë 11 referime në Prokurori “, tha Goxhobelli në komisionin parlamentar.



