Një dorëheqje për shkak të një gabimi publik, diçka jo fort e zakonshme në institucionet shqiptare, ka ardhur këtë herë nga Gjirokastra.
Kreu i Agjencisë së Trashëgimisë Kulturore në Gjirokastër, Florian Hysi, ka dhënë dorëheqjen pas polemikave të shkaktuara nga mënyra e ekspozimit të veshjeve të Heroit të Popullit, Çerçiz Topulli, në Muzeun e Kalasë së Gjirokastrës.
Debati nisi pasi veshjet historike të Çerçiz Topullit u vendosën mbi një manekin me një portret që u kritikua gjerësisht në rrjetet sociale si i papërshtatshëm dhe jo dinjitoz për figurën e heroit.
Pas reagimeve të shumta nga qytetarë dhe specialistë të trashëgimisë, Hysi i ka paraqitur zyrtarisht dorëheqjen kryebashkiakut të Gjirokastrës, Flamur Golemi.
Në deklaratën e tij, Hysi ka marrë përsipër përgjegjësinë për atë që u konsiderua gabim, duke bërë të ditur se situata është korrigjuar.
“Ajo që u konsiderua gabim, u korrigjua dhe marr të gjithë përgjegjësinë përsipër”, deklaroi Hysi.
Ai e cilësoi dorëheqjen jo si një dorëzim, por si “një akt përgjegjësie dhe respekti për institucionin”.
Ndërkohë, pas polemikave, portreti i kontestuar është hequr. Veshjet e Çerçiz Topullit tashmë janë vendosur mbi një manekin neutral, pa fytyrë, duke ruajtur në qendër të ekspozimit objektet historike të heroit.
Në një realitet ku dorëheqjet pas gabimeve apo polemikave publike janë të rralla, vendimi i Hysit ka tërhequr vëmendje jo vetëm për debatin që e shkaktoi, por edhe për faktin se drejtuesi institucional zgjodhi të marrë publikisht përgjegjësinë dhe të largohet nga detyra.



