Zbardhen detaje nga dëshmia e Hysni Palushit, 68-vjeçarit të arrestuar për vrasjen me thikë të bashkëshortes së tij, Lumturie Patushi, 58 vjeçe, në Tiranë.
Gjatë marrjes në pyetje, 68-vjeçari ka deklaruar se mes tyre kishte konflikte të vazhdueshme dhe se krimi ndodhi gjatë një debati.
“Në debat e sipër e kam goditur me thikë në zemër”, mësohet të ketë deklaruar ai para hetuesve.
Sipas dëshmisë së tij, një prej konflikteve lidhej me faktin se bashkëshortja qëndronte në banesën e vajzës së tyre, ku kujdesej për dy nipërit, dhe jo në shtëpinë e çiftit në zonën e “Don Boskos”.
Paraditen e ngjarjes, Palushi pretendon se kishte telefonuar bashkëshorten dhe ajo i kishte thënë se ndodhej në zonën e TEG-ut. Ai më pas është drejtuar drejt banesës së vajzës, ku e ka gjetur 58-vjeçaren. Sipas versionit të tij, mes tyre ka nisur një tjetër debat, i cili ka përfunduar tragjikisht.
Ngjarja ndodhi rreth orës 10:20, në rrugën “Panorama”, pranë shkollës “Harry Fultz”. 58-vjeçarja u godit me thikë dhe nuk mundi t’u mbijetonte plagëve.
Pas krimit, 68-vjeçari u largua, ndërsa u lokalizua dhe arrestua disa orë më vonë në zonën e Kamzës. Hetuesit dyshojnë se ai mund të ketë qenë në gjendje të dehur në momentin e ngjarjes.
Policia ka sekuestruar pranë pallatit një thikë që dyshohet se është përdorur në krim dhe është hedhur nga autori i dyshuar gjatë largimit.
Për zbardhjen e plotë të ngjarjes pritet të merren në pyetje edhe dy nipërit, 10 dhe 14 vjeç, në praninë e psikologut.
Nga të dhënat e deritanishme rezulton se Hysni Palushi ishte arrestuar edhe në vitin 2017 për dhunë në familje.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e rrethanave të krimit.



