Gazetari Artan Hoxha, i ftuar në emisionin “Top Story” me Grida Dumën, ka ngritur pikëpyetje të forta mbi mënyrën se si është emëruar dhe ka funksionuar drejtimi i Shërbimit Informativ të Shtetit, duke ia atribuar përgjegjësinë politike kryeministrit Edi Rama.
“Ti e nise me pyetjen, e kujt është përgjegjësia. Është e atij që erdhi në Rinas. Ne e dimë shumë mirë, aq sa e njohim, ai nuk e jep dorëheqjen. Sa më shumë të shtohen skandalet, ai nuk e jep dorëheqjen. Përgjegjësia është e kryeministrit”, u shpreh Hoxha.
Sipas tij, Rama e ka pasur Vlora Hysenin më parë këshilltare dhe më pas e ka vendosur në krye të SHISH.
Hoxha theksoi se në një institucion të tillë ekziston një zinxhir i qartë informacioni dhe përgjegjësie, veçanërisht për një vend anëtar të NATO-s.
“Shërbimi sjell informacion dhe ti thua vlen apo jo. E kur diçka nuk shkon, thua çfarë po ndodh. Jemi në NATO dhe kemi objektivat që vijnë. Dhe kemi objektivat tona”, tha ai.
Gazetari pretendoi gjithashtu se gjatë drejtimit të Vlora Hysenit është cenuar piramida drejtuese e SHISH dhe se struktura e institucionit është funksionalizuar ndryshe nga modeli standard.
Sipas Hoxhës, Hyseni nuk ka pasur një numër dy në strukturë dhe ka krijuar një linjë të drejtpërdrejtë komunikimi.
“Kur u bë drejtoreshë e Shërbimit nuk la numër dy, krijoi një lidhje direkte dhe bënte tre takime në ditë me një nga shefat kryesorë që merrej me krimin e organizuar. Pse me krimin e organizuar dhe pse duhej kaq shpesh ky kontakt? Krijoi një rreth të ngushtë. Mori sekretaren e bëri direkt këshilltare. Ajo në shërbim shmangu komunikimin standard”, u shpreh Hoxha.
Ai foli gjithashtu për Ergys Agasin, duke e përshkruar atë si një figurë që, sipas tij, kishte krijuar një rol ndërmjetësues mes botës së krimit dhe strukturave shtetërore.
“Gysi nuk vlen një lek pa e mbështetur ata poshtë dhe imunitetin nga ai lart. Miratim nga lart dhe propozim nga poshtë. Kur flet me Gysin, ki parasysh se është një strukturë nga pas”, tha Hoxha.
Sipas gazetarit, periudha kur Agasi kishte ndikim ishte shoqëruar edhe me ulje të numrit të vrasjeve.
“Ra numri i vrasjeve, pse? Se ai kishte pushtet. Nga i buron kjo fuqi? Koordinatori i tretë mes krimit dhe shtetit”, deklaroi Hoxha.
Një tjetër pikë e ngritur prej tij lidhej me marrjen e shtetësisë shqiptare nga Vlora Hyseni.
Sipas Hoxhës, Hyseni e ka marrë pasaportën shqiptare në vitin 2016, pasi emri i saj ishte pjesë e një liste me persona nga Kosova.
“Ka ardhur një listë nga Kosova dhe mes 10 personave ka qenë dhe ajo. Nuk i ka plotësuar kushtet, por i është dhënë për një arsye shtetërore”, tha ai.
Hoxha ngriti gjithashtu pikëpyetje për kriteret e përdorura për emërimin e saj në poste të larta.
“Kryeministri e mori këshilltare, edhe aty ka kritere. Ky vend ka plot njerëz të shkolluar brenda dhe jashtë për të qenë në atë pozicion. Zgjedhje direkte nga kryeministri. Duhet të mbajë përgjegjësi. Nuk ndoqe kriteret dhe nuk pyete askënd”, deklaroi Hoxha.
Sipas tij, pikërisht gjatë periudhës së punës në Kryeministri Hyseni është njohur me Ergys Agasin.
Deklaratat e Hoxhës janë pjesë e debatit publik mbi mënyrën e funksionimit të SHISH dhe mbi përgjegjësinë politike e institucionale për emërimet dhe vendimmarrjen në krye të shërbimit sekret.



