Ndërsa gjithnjë e më shumë njerëz po i drejtohen inteligjencës artificiale për këshilla, disa avokatë në SHBA po paralajmërojnë klientët e tyre që të mos i trajtojnë chatbot-ët si këshilltarë të besueshëm, sidomos kur në rrezik janë liria apo përgjegjësia ligjore.
Këto paralajmërime u bënë më urgjente pasi një gjyqtar federal në Nju Jork vendosi këtë vit se ish-drejtori ekzekutiv i një kompanie financiare të falimentuar nuk mund t’i mbante të fshehta bisedat e tij me inteligjencën artificiale nga prokurorët që po hetonin akuza për mashtrim me letra me vlerë.
Pas këtij vendimi, avokatët kanë nisur të këshillojnë se bisedat me chatbot-e si Claude i Anthropic dhe ChatGPT i OpenAI mund të kërkohen si prova nga prokurorët në çështje penale apo nga palët kundërshtare në procese civile.
“Po u themi klientëve tanë: Duhet të tregoni kujdes,” tha avokatja Alexandria Gutiérrez Swette nga firma ligjore Kobre & Kim me bazë në Nju Jork.
Ndryshe nga komunikimet me avokatët, të cilat zakonisht konsiderohen konfidenciale sipas ligjit amerikan, chatbot-ët nuk gëzojnë të njëjtën mbrojtje ligjore. Për këtë arsye, juristët po udhëzojnë klientët të marrin masa për të ruajtur privatësinë e komunikimeve me mjetet e AI.
Më shumë se një duzinë firmash të mëdha ligjore në SHBA kanë shpërndarë udhëzime për klientët, duke rekomanduar mënyra për të ulur rrezikun që bisedat me AI të përfundojnë në gjykatë. Paralajmërime të ngjashme po përfshihen edhe në kontratat mes firmave ligjore dhe klientëve.
Një rast konkret është firma Sher Tremonte, e cila në një kontratë të fundit thekson se ndarja e këshillave ligjore me një chatbot mund të çojë në humbjen e mbrojtjes ligjore të njohur si “privilegji avokat-klient”.
Rasti që nxiti këto shqetësime lidhet me Bradley Heppner, ish-kreu i kompanisë së falimentuar GWG Holdings. Ai u akuzua nga prokurorët federalë për mashtrim financiar dhe deklaroi pafajësi.
Heppner kishte përdorur chatbot-in Claude për të përgatitur raporte mbi çështjen e tij, të cilat më pas ia kishte dhënë avokatëve. Mbrojtja argumentoi se këto materiale duhet të mbroheshin, pasi përmbanin detaje të strategjisë ligjore.
Megjithatë, prokurorët kundërshtuan, duke theksuar se komunikimet me chatbot nuk mbulohen nga privilegji avokat-klient. Gjykatësi federal Jed Rakoff vendosi në shkurt që Heppner duhet të dorëzojë 31 dokumente të krijuara me ndihmën e Claude.
Megjithatë, jo të gjitha gjykatat kanë mbajtur të njëjtin qëndrim. Po atë ditë, një gjyqtar tjetër në Michigan vendosi se një grua që përfaqësonte veten në një proces gjyqësor nuk ishte e detyruar të dorëzonte bisedat e saj me ChatGPT.
Ai i konsideroi këto biseda si pjesë të punës personale për çështjen dhe jo si komunikime me një palë të tretë. Në vendimin e tij, gjyqtari theksoi se “ChatGPT dhe programe të tjera të ngjashme janë mjete, jo persona”.
Kushtet e përdorimit të OpenAI dhe Anthropic parashikojnë se kompanitë mund të ndajnë të dhënat e përdoruesve me palë të treta dhe rekomandojnë që përdoruesit të konsultohen me profesionistë përpara se të mbështeten në këshilla ligjore nga AI.
Për këtë arsye, firmat ligjore po përpiqen të vendosin “rregulla loje” të qarta për përdorimin e inteligjencës artificiale. Disa prej tyre sugjerojnë përdorimin e sistemeve të mbyllura për kompani, të cilat mund të ofrojnë më shumë mbrojtje.
Gjithashtu, rekomandohet që, nëse përdoret AI me udhëzim të një avokati, kjo të specifikohet qartë në kërkesën drejtuar chatbot-it.
Ekspertët ligjorë presin që vendime të tjera gjyqësore të sqarojnë më tej nëse dhe kur bisedat me AI mund të përdoren si prova.
Deri atëherë, mesazhi i avokatëve mbetet i qartë: mos diskutoni për çështjen tuaj me askënd tjetër përveç avokatit, përfshirë edhe inteligjencën artificiale.

