Në zbatim të Aktit Normativ për tubimet dhe dhunën në protestë, e prezantuar nga Edi Rama dhe si paketa anti-dhunë, janë plotësuar 16 procesverbale për konstatimin e kundërvajtjeve administrative pas protestës së djeshme në Tiranë.
Masat administrative janë vendosur pasi, gjatë tubimit të zhvilluar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë, këta shtetas kanë bllokuar rrugën, duke penguar qarkullimin e mjeteve të transportit. Pavarësisht thirrjeve të përsëritura të punonjësve të Policisë, nëpërmjet megafonit, për lirimin e rrugës, nuk u janë bindur këtyre thirrjeve.
Nga 16 masat administrative, 14 janë vendosur ndaj shtetasve të shoqëruar, ndërsa 2 të tjera janë vendosur bazuar në identifikimin e shtetasve nga pamjet filmike. Për secilin është vendosur masa e gjobës në vlerën 5 000 lekë.
Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për 2 shtetas të mitur, pasi më datë 02.11.2026, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, gjatë zhvillimit të tubimit të organizuar nga studentët, dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe të maskuar, kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë protestës së djeshme.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.



