Një fermer 32-vjeçar nga Maliqi ka denoncuar problemet me skemën e mbështetjes për fermerët e rinj, pasi, megjithëse është shpallur fitues, shuma e përllogaritur nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) rezulton e pamjaftueshme për të realizuar investimin e planifikuar.
Rasti i Mariglen Krekës është trajtuar në emisionin investigativ “Fiks Fare” në Top Channel.
Qeveria kishte prezantuar një skemë mbështetjeje deri në 1 milion lekë për fermerët e rinj, ku shteti mbulon deri në 70% të investimit.
Marigleni aplikoi për të blerë lopë të racës Holstein, pasi kishte siguruar një ofertë prej 300 mijë lekësh për një krerë. Por, kur u paraqit për të nënshkruar kontratën, mësoi se AZHBR kishte marrë si bazë një ofertë prej 138 mijë lekësh për lopë.
“Unë një lopë e gjeta me 3 milionë lekë të vjetra. Ata kishin shënuar në dokumente se vlera ishte 1 milion e 380 mijë lekë. Me këtë lloj vlere unë s’mund të blej këto lopë”, deklaroi fermeri.
Sipas tij, importuesit që kishte kontaktuar ofronin çmime dukshëm më të larta se vlera e përdorur nga institucioni.
“Ma gjeni 1 milion e 380 mijë dhe shkoj e marr atje, marr dhe më shumë”, u shpreh ai gjatë përballjes me përfaqësueset e AZHBR-së.
Gazetarët e “Fiks Fare” shoqëruan fermerin në institucion për të kërkuar sqarime mbi mënyrën e përcaktimit të çmimit.
Drejtoresha e komanduar, Antoneta Gjoni, shpjegoi se institucioni zbaton udhëzimin e Ministrisë së Bujqësisë, sipas të cilit merret për bazë oferta më e ulët e paraqitur në AZHBR.
Ajo i dha fermerit kontaktin e një operatori që kishte paraqitur ofertë, por sipas pamjeve të transmetuara në emision, telefonatës së tij nuk iu përgjigj askush.
Fermeri pretendon se mbështetja e përllogaritur, prej rreth 480 mijë lekësh, nuk i mundëson blerjen e numrit të lopëve që kishte planifikuar.
Rasti ngre pikëpyetje mbi mënyrën e përllogaritjes së mbështetjes financiare dhe nëse ofertat që përdoren si referencë janë realisht të aksesueshme nga fermerët përfitues.
Mariglen Kreka kërkon që Ministria e Bujqësisë dhe AZHBR të rishikojnë rastin e tij, në mënyrë që të mund të realizojë investimin për të cilin aplikoi.



