Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka reaguar pas pretendimeve të publikuara në media lidhur me një vizitë të tij në institucionin e vuajtjes së dënimit në Fier, ku ndodhet Erion Veliaj.
Përmes një reagimi publik, Gogu ka konfirmuar se e ka takuar Veliajn të premten, por ka mohuar pretendimet se gjatë takimit i ka përcjellë mesazhe apo ultimatume politike.
“Po, e kam takuar Erion Veliajn të premten. Në ushtrim të përgjegjësive të mia si Ministër i Drejtësisë, kam shkuar për t’u njohur me kushtet e trajtimit të tij dhe për të dëgjuar ankesat e shprehura publikisht nga avokati i tij”, deklaron Gogu.
Ministri thekson se me Veliajn e lidh një miqësi e hershme, por shprehet i befasuar nga pretendimet e bëra publike.
“Nuk i gjej dot arsyet pse janë stisur ato të pavërteta dhe nuk dua ta besoj që i ka thënë apo shkruar Erioni”, shkruan ai.
Gogu mohon kategorikisht që t’i ketë përcjellë Veliajt mesazhet që i janë atribuuar.
“Kush më njeh e di se nuk ka asnjë shans, në këtë botë apo në tjetrën, që unë të shqiptoj ‘mesazhet’ që më janë vënë në gojë. Jam vërtet i befasuar”, shprehet ministri.
Sipas tij, qëllimi i vizitës ka qenë njohja me kushtet e trajtimit dhe dëgjimi i shqetësimeve të ngritura për situatën e Veliajt.
Ai shton se rrethanat e vizitës janë të dokumentuara dhe të verifikueshme.
“Për të tjerat, koha dhe e vërteta ecin dorë për dore”, përfundon reagimin Toni Gogu.
Deklarata vjen pas pretendimeve se ministri kishte vizituar Veliajn për t’i përcjellë ultimatume nga kryeministri Edi Rama, pretendime që Gogu i kundërshton. Deri më tani, këto akuza nuk janë provuar publikisht.



