Ermalinda Rama, 27 vjeçarja që një vit më parë vrau babain e saj Anesti Rama, do të gjykohet për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”. Ajo akuzohet nga Prokuroria e Fierit se ka masakruar të atin dhe më pas e ka mbytur me tel në qafë.
Ngjarja ndodhi më 23 korrik 2025, në banesën e familjes në fshatin Frashër të Patosit. Sipas Prokurorisë, Ermalinda Rama i ka shtrënguar qafën të atit, Anesti Rama, me një lak teli, duke i shkaktuar asfiksi dhe vdekjen e menjëhershme.
Pas ngjarjes, përpara mbërritjes së policisë, bashkëshortja e viktimës, Valbona Rama dyshohet se ka pastruar ambientin ku ai u gjet dhe ka larë trupin e tij. Sipas organit të akuzës, këto veprime kishin për qëllim ndryshimin ose fshehjen e gjurmëve dhe pengimin e zbulimit të së vërtetës.
E reja së bashku me të ëmën shkuan të alarmuara në polici dhe kallëzuan vdekjen e Anesti Ramës si aksidentale. Por, versioni nuk ishte plotësisht bindës, duke ngritur dyshimet te efektivët e policisë të cilët filluan menjëherë hetimet ku dhe zbuluan se 56-vjeçari ishte mbytur me tel nga vajza e tij, e cila më pas në bashkëpunim me të ëmën tentuan që të fshehin ngjarjen.
Krimin e bën edhe më tronditës deklarata e vajzës e cila në dëshminë e saj në polici pranoi vrasjen e të atit pasi ky i fundit e trajtonte keq, ishte fanatik dhe nuk e lejonte të bënte jetën që ajo dëshironte.
Por, sikur të mos mjaftonte me kaq, nga raporti mjeko-ligjor u mësua se 56-vjeçari përpos shenjës së litarit në fyt ishte i masakruar edhe në pjesët intime. Dyshimet janë se ngjarja makabre ndodhi pasi babai zbuloi se e bija kishte marrëdhënie intime me një burrë të martuar, nga Roskoveci.



