Kryeministri Edi Rama mblodhi sot grupin parlamentar për të folur për situatën e krijuar në Zvërnec gjatë ditëve të fundit.
Duke ju drejtuar qytetarëve, Rama tha se dhe ai ndoshta do të vepronte njësoj si ata duke ngritur zërin kundër padrejtësive, e ndoshta dhe më keq.
Për të gjithë ata që janë revoltuar e rreshtuar kundër meje pasi panë aktin e neveritshëm të tërheqjes zvarrë të një prej protestuesve në Zvërnec. Ju kuptoj shumë mirë, madje ju siguroj se në vendin tuaj po njësoj do revoltohesha e do rreshtohesha kundër qeverisë e ministrive. Do më dukej e tmerrshme që disa roje private sigurie, në sy të policisë së shtetit tim, pas një gardhi me tela me gjemba, të ulërinin si kafshë e të merrnin nga jashtë brenda një njeri në të drejtën e vet, ta tërhiqnin zvarrë, e pastaj të thoshte policia se i zvarrituri u fut vetë.
Do kisha bërë më keq se ju, po të më thoshin se ajo tokë është e shtetit dhe se shteti po ua fal të huajve. Madje kam vënë re se është përhapur gjithandej me shumë helm nga pas edhe legjenda se shteti po ua hap tokën izraelitëve për të sjellë palestinezë. Po të më thoshin se ajo ishte zonë e mbrojtur dhe e hoqën për t’ia falur të huajve, po të më thoshin se në vend të flamingove aty do pastroheshin paratë e zeza të mafies ndërkombëtare, e të tjera, nga ato që ju kanë thënë, e ju i keni pastaj duke i shpërndarë, janë shkruar duke ngritur një dallgë zemërimi, duke bërë thirrje për të mbrojtur atdheun në rrezik“, tha ai.
Ai tha se investimi në Zvërnec me vlerë prej 4 miliardë eurosh, është një prej investimeve që synon ta vendosë Shqipërinë në ligën e kampionëve të turizmit.
“I kam duruar dhe i duroj pikërisht sepse këtë mision e mbaj ende përsipër edhe në emër të shumëkujt nga ju që më ka besuar votën dhe sot i është bashkuar zemratës në rrjete sociale duke më treguar me gisht si prurësin e një fatkeqësie të madhe. Ç’më duhet karrigia, pushteti nëse duhet të heq dorë nga vizioni që kam ndarë me ju gjithë këto vite? Heq dorë nga ambicia për ta bërë Shqipërinë një vend që mos të ketë zili askënd, për çfarë më duhet pushteti dhe karrigia? Që të qetësoheni ju, që të vazhdoni jetën siç është e natyrshme dhe pasnesër, në vend të atij investimi të jashtëzakonshëm atje, të bëhet copëtimi, Golemi i radhës? Ju do të rroni më shumë se unë dhe do të shikoni se aftësia dhe kuraja për ta kthyer Shqipërinë te Golemi është e gjallë dhe e gatshme po t’i bjerë prapë në dorë Shqipëria. Heq dorë nga vizioni dhe ambicia për ta bërë Shqipërinë një vend që s’ka frikë të hyjë në ligën e kampionëve të turizmit global dhe të rri në karrige me një vend që trembet nga sfidat e mëdha? Shqipëria s’është më ajo ku nuk afrohej asnjë investitor, është ajo ku duan të vijnë, është Shqipëria e 12 milionë turistëve. Do të hyjë tani në elitën e investimeve që sjellin konsumatorë që i lënë paratë këtu. Një vend që nuk ka frikë nga një investim i jashtëzakonshëm, si ky ku partnerë janë bërë bashkë për të investuar 4 miliardë euro”, tha Rama.


