Mishi i derrit bën pjesë te produktet e preferuara për shqiptarët. Vetëm për tre vitet e fundit, qytetarët kanë konsumuar afërsisht 16 milionë kg mish derri nga Brazili.
Ndryshe nga BE-ja, mishi i derrit nga Brazili do të vazhdojë të jetë pjesë e tryezës së konsumatorit shqiptar. Ndërkohë, europianët, që nga data 3 shtator, kanë ndaluar çdo ngarkesë me mish brazilian, pasi dyshohet se te kafshët dhe shpendët aplikohen medikamente veterinare që rrisin në mënyrë të shpejtë masën muskulare.
Kurse Ministria e Bujqësisë këtë vendim e ka marrë vetëm për mishin e gjedhit dhe të shpendëve, dhe jo për mishin e derrit.
Në vitin 2024, shqiptarët kanë konsumuar 6.4 milionë kg mish derri të ngrirë, pa kocka, në vlerën e 1.3 miliardë lekëve. Nëse bëjmë një llogari të thjeshtë, 1 kg mish derri nga Brazili tregtarëve u ka kushtuar mesatarisht 212 lekë/kg, ose 2 euro e 10 cent.
Në vitin 2025, edhe pse mishi i derrit ra në çmim, shqiptarët konsumuan afërsisht 1 milion kg mish derri më pak. Sasia prej 5.3 milionë kg mish derri brazilian këtë herë kushtoi mesatarisht 1.1 miliardë lekë, ku çmimi për kilogram arriti mesatarisht në 209 lekë/kg, ose rreth 2 euro.
Ndërsa nga janari deri në gusht të vitit 2026, në Shqipëri janë futur 4.1 milionë kg mish derri nga Brazili. Grosistëve të mishit, ky produkt këtë herë u ka kushtuar afërsisht 193 lekë/kg, ose rreth 1 euro e 90 cent.
I gjithë ky produkt nuk hidhet në treg vetëm në formën e mishit të freskët, por ai vjen te qytetarët edhe në formën e produkteve të përpunuara, si proshuta apo kremviçet.



