Kryeministri ka shenjestruar sot prindërit e të miturve që kanë dalë në protestë e shumë prej të cilëve edhe kanë kryer akte dhune me gurë apo kapsolla. Padyshim se të miturit janë një nga problemet më të mëdha të kësaj që po ndodh, edhe kur kryejnë vandalizëm, por sidomos kur goditen ashpër nga policia apo shoqërohen në komisariat. Mirëpo, kërcënimi i prindërve të tyre është përtej çdo llogjike.
Sepse janë pikërisht ata prindër që kanë hallin më të madh sot. Vështirësia që ndeshin çdo ditë për rritjen e tyre. Përpara se të bëhen ata përgjegjës, duhet menduar se çfarë sfidash përballojnë një burrë dhe një grua me të ardhura mesatare siç janë shumica e njerëzve, për të ofruar kushte e mundësi për fëmijët e tyre adoleshentë. Eshtë e pamundur të plotësohen baziket, sepse të ardhurat nuk mjaftojnë, e jo më pastaj për të mbuluar kurse, edukim shtesë, apo argëtim.
Prindërit e shumicës së të miturve janë të lodhur, të frustruar pasi fëmijët e tyre nuk kanë një fushë futbolli, një kënd për të kaluar kohën. Janë të stresuar se ata mund të bien pre e veseve nëpër qoshet e lagjeve, në kthinat e errëta. Janë të pamundur për të ushqyer tek ata modelin e duhur, pasi ata vërejnë se shokët me celular të shtrenjtë, me veshje firmato, me atletet e fundit, me udhëtime e pushime luksi, nuk vijnë nga puna e ndershme, por nga korrupsioni ose paratë e pisëta të krimit. Vijnë nga babai drejtor, mamaja patronazhiste, apo nga prindi trafikant.
A e ka menduar ndonjëherë qeveria se sa e mundishme është për prindërit të rrisin këtu një adoleshent, mes pabarazive të theksuara dhe joshjes së vazhdueshme për rrugën e parasë së shpejtë e rendjen në mëkate.
Dhe padyshim se ka shumë prindër që as nuk i kontrollojnë dot fëmijët e tyre sepse punojnë me orë të gjata, ose bëjnë edhe dy punë.
Ky stërmundim i tyre, është parë, është dëshmuar nga fëmijët gjatë rritjes së tyre dhe sot reflektohet në mllefin që kanë.
Ndaj është e padrejtë që ata sot të fajësohen, apo më keq të kërcënohen se do të paguajnë për dëmet që po shkaktojnë në qytet jo pak adoleshentë të mbuluar që godasin kuturu, pa e ditur as vetë se ku.



