Gjashtë persona kanë humbur jetën si pasojë e shpërthimit të fuqishëm që ndodhi një ditë më parë në zonën e Plakës, në qendër të Athinës.
Ekipet e emergjencës kanë përfunduar operacionin e kërkim-shpëtimit dhe kanë nxjerrë të gjithë trupat nga rrënojat e ndërtesës së shembur.
Mes viktimave janë edhe tre shtetas shqiptarë, Florin Hoxha, motra e tij, Florida Hoxha dhe bashkëshortja e tij, Eris Cani. Siç bën me dije korrespondenti i Top Channel në Greqi, Artur Bibe, në total janë konfirmuar gjashtë viktima, ndërsa ekipet e emergjencës kanë nxjerrë të gjithë trupat nga rrënojat. Mes viktimave është edhe bashkëshorti i Florida Hoxhës, Ian Alexander Kirpatrick, shtetas amerikan, si dhe Edmond Hings e Athina Papapresku, pronarët e ndërtesës.
Kujtojmë se shpërthimi ndodhi pak para orës 08:00 ditën e djeshme, në një ndërtesë të vjetër dykatëshe në rrugën Lysikratous, përballë Shtyllave të Zeusit Olimpik. Si pasojë e shpërthimit, ndërtesa u shemb, ndërsa një kalimtar u plagos lehtë nga copëzat e shpërndara.
Forcat zjarrfikëse ndërhynë edhe në një ndërtesë pranë vendit të ngjarjes, nga ku nxorën dy gra, njëra prej tyre e moshuar. Të dyja u transportuan në spitalin “Georgios Gennimatas”, ku morën ndihmën e parë.
Pas orëve të kërkimeve nën rrënoja, ekipet e emergjencës kanë nxjerrë të gjashtë trupat, duke konfirmuar bilancin tragjik të ngjarjes.



