Gjatë këtyre viteve lëkura dhe truri ynë është aftësuar të mësohet, të përballojë e të normalizojë shumë çudira. Kemi hasur afera e skandale të rënda të qeverisjes. Implikime në krim të shtetarëve, të drejtuesve të policisë, të deputetëve. Kur bëmat kanë qënë të mëdha, na është thënë ta marrim shtruar se me këto bëhen dhe filma. Pra gjëra që ndodhin.
Por sot kemi diçka tjetër. Kemi një “next level”, që nuk mund ta kapërdijmë si herët e tjera. Kemi shefen e Shërbimit Informativ Shtetëror të arrestuar, me dyshimin se ka kryer dy vepra penale; Përkrahje të autorit të krimit dhe nxjerrje e sekretit shtetëror.
Të dhënat që kanë dalë deri më tani nuk e krijojnë tablonë e plotë. Por është një masë sigurie me vendim gjykate. Pra ka një dosje që ka shkuar atje.
Albania Today, ka mësuar aq sa është bërë e njohur, se gjithçka lidhet me Ergys Agasin dhe raportet që kreu i SHISH kishte me të.
Ndaj nuk kemi një skandal si herët e tjera që tentohet të harrohet pas 3 ditëve. Në këtë operacion po dalin të përfshirë dhe drejtues të Policisë së Shtetit. Pra e gjithë superstruktura e sigurisë kombëtare që mban në këmbë një republikë.
Ngjarjet janë tronditëse. Aq më tepër kur një grua është në krye të shërbimit sekret. Dhe aq më shumë, kur ajo quhet Vlora, një emër që flet për patriotizëm. Por nuk flasin për patriotizëm akuzat nën të cilat sot ajo është mbyllur në shtëpinë e saj, si masë sigurie.
Prej sot duhen lëvizje të mëdha e të forta politike. Kemi një krizë të rëndë besimi që nuk mund të kalohet me rutinën e emërimeve të reja dhe hajde të ecim përpara. Kërkohet më shumë.



