Sot, më 31 tetor 2026, shënohet një vit nga ndarja nga jeta e Fatos Nanos, ish-kryeministrit të Shqipërisë dhe një prej figurave më të rëndësishme të politikës shqiptare pas viteve ’90.
Fatos Nano ndërroi jetë më 31 tetor 2025, në moshën 73-vjeçare, pas disa javësh në gjendje të rëndë shëndetësore dhe nën kujdesin e mjekëve.
I lindur më 16 shtator 1952 në Tiranë, Nano ishte ndër protagonistët kryesorë të tranzicionit politik shqiptar. Ai mori drejtimin e qeverisë në vitin 1991, në periudhën e fundit të regjimit komunist, dhe më pas u bë drejtuesi historik i Partisë Socialiste, që nga themelimi i saj.
Karriera e tij politike u shënua nga përplasjet me kundërshtarin e tij, Sali Berisha, si dhe nga arrestimi dhe burgosja në vitet ’90. Nano u lirua në mars të vitit 1997 dhe u shpall i pafajshëm në vitin 1999 për akuzat që kishin çuar në dënimin e tij.
Pas fitores së socialistëve në zgjedhjet e vitit 1997, ai u rikthye në krye të qeverisë. Nano shërbeu gjithashtu si kryeministër gjatë periudhës 2002–2005.
Pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të vitit 2005, ai u tërhoq nga drejtimi i Partisë Socialiste, duke ia lënë më pas vendin Edi Ramës.
Përveç karrierës politike, Fatos Nano kishte një formim të gjatë akademik në fushën e ekonomisë. Ai mbante titujt “Doktor i Shkencave” dhe “Profesor Doktor”, si dhe u nderua me tituj akademikë nga universitete italiane.
Nano la pas bashkëshorten Xhoana, dy fëmijët nga martesa e parë, Sokolin dhe Edën, si dhe djalin e bashkëshortes së tij, Klajdin.
Një vit pas ndarjes së tij nga jeta, Fatos Nano mbetet një nga emrat më të spikatur të historisë politike të Shqipërisë pluraliste, me një karrierë të shoqëruar nga suksese, përplasje dhe debate që shënuan tranzicionin shqiptar.



