Një grabitje ka ndodhur paraditen e kësaj të hëne në një filial të Raiffeisen Bank, në zonën e Komunës së Parisit, në Tiranë.
Sipas informacioneve të deritanishme, autori, i veshur me të zeza, me skafandër në kokë, doreza dhe një çantë supi, ka hyrë në ambientet e bankës rreth orës 10:45, duke kërcënuar me armë rojën private.
Nga këqyrja e pamjeve të kamerave të sigurisë rezulton se grabitësi, sapo ka hyrë në bankë, ia ka drejtuar armën punonjësit të sigurisë, i cili nuk ka bërë rezistencë. Më pas, autori është drejtuar me shpejtësi drejt arkës, ku dyshohet se ka marrë një shumë parash ende të papërcaktuar.
Pas grabitjes, ai është larguar nga vendngjarja me një skuter elektrik, duke humbur gjurmët.
Policia ka rrethuar ambientet e bankës dhe zonën përreth, ndërsa grupi hetimor ka administruar dëshmitë e dy personave kryesorë që ndodheshin në vendngjarje: arkëtares dhe rojës private.
Përdorimi i dorezave dyshohet se ka vështirësuar gjetjen e gjurmëve të gishtërinjve, ndërsa kamerat e sigurisë konsiderohen një ndër provat kryesore për identifikimin e autorit.
Paralelisht, hetuesit po këqyrin kamerat e bizneseve dhe rrugëve përreth, me qëllim rindërtimin e itinerarit të largimit të grabitësit.
Deri më tani nuk është konfirmuar shuma e parave të grabitura, ndërsa mbetet e paqartë nëse arma e përdorur ka qenë e vërtetë apo imituese.
Hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.



