Një lajm i trishtë ka mbërritur pasditen e kësaj të hëne nga Lezha, ku 16-vjeçari Arjon ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë, pas një jave në gjendje të rëndë shëndetësore.
I mituri ishte aksidentuar një javë më parë në aksin rrugor dytësor Balldre–Rraboshtë, teksa po kthehej me motoçikletë nga shkolla për në banesën e tij.
Për shkak të plagëve të rënda të marra nga aksidenti, 16-vjeçari u transportua fillimisht në spitalin e Lezhës dhe më pas në Spitalin e Traumës në Tiranë, për të marrë trajtim më të specializuar.
Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, Arjoni nuk arriti t’u mbijetonte plagëve.

Lajmin e rëndë e ka bërë të ditur gjimnazi “Hydajet Lezha”, përmes një mesazhi ngushëllimi për familjen dhe të afërmit e të miturit.
“Me dhimbje të thellë dhe pikëllim të madh, gjimnazi ‘Hydajet Lezha’ shpreh ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen e parakohshme nga jeta të Arjonit, vetëm 16 vjeç, i cili humbi jetën tragjikisht në një aksident.
Është e vështirë të gjenden fjalët përballë një dhimbjeje kaq të madhe, kur një jetë kaq e re ndërpritet në mënyrë të papritur”, thuhet në reagimin e shkollës.
Drejtoria, mësuesit dhe nxënësit e gjimnazit kanë shprehur solidaritetin me familjen, duke u bashkuar në dhimbjen e humbjes së parakohshme.
“U prehsh në paqe, Arjon! Ngushëllime familjes!”, përfundon mesazhi i gjimnazit “Hydajet Lezha”.
Redaksia e Albania Today i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve, miqve dhe bashkëmoshatarëve të Arjonit për këtë humbje të rëndë dhe të parakohshme.
U prehsh në paqe, Arjon!



