Ish-drejtorët e ASHK-së Fier, Bardhyl Kapaj dhe Ertis Shehu, specialisti jurist Pirro Çela, si dhe Kastriot Hyska, posedues i pronave të falsifikuara, kanë mbërritur paraditen e sotme në Gjykatën e Fierit, ku pritet të dalin para togave të zeza për t’u njohur me masën e sigurisë të caktuar ndaj tyre në kuadër të operacionit “Stolen Land”.
Operacioni u finalizua nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë Fier, pas një hetimi të nisur që në vitin 2025 me metoda proaktive. Më 16 shtator 2026 u ekzekutuan katër masa sigurie “Arrest në burg” për E. Sh. dhe B. K., ish-drejtues të ASHK-së, P. Ç., specialist jurist pranë ASHK-së, si dhe K. H., përfitues i pronave.
Sipas Policisë së Fierit, të dyshuarit kanë vepruar në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke regjistruar në pronësi të shtetasit K. H. sipërfaqe të mëdha toke, duke shfrytëzuar pozicionet e tyre zyrtare dhe duke falsifikuar dokumentacionin përkatës.
Hetimet kanë zbuluar se bëhet fjalë për rreth 1.143 hektarë tokë, një sipërfaqe gjigante që korrespondon me afro 1.600 fusha futbolli standarde, çka e bën këtë një nga çështjet më të mëdha të dyshuara të përvetësimit të pronave në qarkun e Fierit.
Në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë dhe Vlorë, autoritetet ekzekutuan masat e sigurisë personale dhe pasurore ndaj personave nën hetim, ndërsa pritet që Gjykata e Fierit të vendosë mbi vlefshmërinë e arrestimeve dhe vijimin e masave të sigurisë.
Prokuroria dhe policia po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht skemën e dyshuar të regjistrimit të paligjshëm të pronave.



