Është shtyrë seanca e parë e gjykimit paraprak për pesë personat e akuzuar në lidhje me vrasjen e Egli Progës.
Seanca e zhvilluar sot zgjati rreth 60 minuta, por gjykata nuk arriti të merrte një vendim për shkak të mungesës së avokatit të Leonidha Guçes.
Seanca e radhës është caktuar për të hënën e ardhshme, kur pritet të vendoset nëse dosja do të kalojë për gjykim themeli apo do t’i rikthehet Prokurorisë për hetime të mëtejshme.
Pas rreth dy vitesh hetime, Prokuroria ka mbyllur dosjen dhe ka dërguar për gjykim pesë persona.
Denis Meçe dhe Leonidha Guçe akuzohen për “vrasje me dashje të kryer në bashkëpunim”. Dy të akuzuarit ndodhen aktualisht nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Tre personat e tjerë janë nën masën “detyrim paraqitjeje” dhe akuzohen për moskallëzim krimi.
Tashmë pritet seanca e ardhshme për të përcaktuar nëse çështja do të kalojë në fazën e gjykimit.



