Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar në Nju Jork me kongresistin amerikan Mike Lawler, me të cilin ka diskutuar zhvillimet në Kosovë dhe vendimin e Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjatë takimit, Kurti e cilësoi aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit si “të padrejtë”, ndërsa ngriti shqetësime për mënyrën e funksionimit të Gjykatës Speciale.
Kryeministri i Kosovës u ndal edhe te pretendimet për të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë” dhe trafikimin e organeve, duke theksuar se këto akuza nuk ishin pjesë e aktakuzës ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.
“Pretendimi për ‘Shtëpinë e Verdhë’ dhe trafikimin e organeve, mbi të cilin u krijua pjesa dërrmuese e narrativës që parapriu themelimin e Dhomave të Specializuara, nuk ishte fare pjesë e aktakuzës”, tha Kurti.
Ai theksoi gjithashtu se katër ish-krerët e UÇK-së u shpallën të pafajshëm për gjashtë akuzat për krime kundër njerëzimit.
Më 16 shtator, Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet dhe Selimi me 13 vjet për disa akuza për krime lufte. Të katërt kanë mohuar fajësinë dhe kanë paralajmëruar apelimin e vendimit të shkallës së parë.
Sipas Kurtit, problem mbetet edhe jotransparenca e Dhomave të Specializuara, ndërsa për aktgjykimin tha se “lëngon nga pasaktësia historike dhe faktike”.
“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte dhe mbetet e drejtë, e nuk mund të njolloset në asnjë mënyrë”, deklaroi Kurti.
Në takimin me kongresistin amerikan u diskutua gjithashtu për rritjen e investimeve amerikane në Kosovë, veçanërisht në teknologji, prodhim dhe energji.
Pjesë e diskutimeve ishte edhe situata e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Në takim mori pjesë edhe deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.
Kurti ndodhet në Nju Jork në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku po zhvillon takime me përfaqësues ndërkombëtarë, diasporën shqiptare dhe investitorë.



