Është zhvilluar sot në Tiranë takimi i 22-të i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-Bashkimi Evropian, ku në fokus ishte ecuria e vendit drejt integrimit në BE.
Kryetari i delegacionit të Parlamentit Evropian, Marco Tarquinio, vlerësoi progresin e Shqipërisë në negociatat e anëtarësimit, duke e cilësuar atë “spektakolar” dhe “mbresëlënës”.
“Ajo që po ndodh në Shqipëri është spektakolare sa i takon negocimit të kapitujve, është mbresëlënëse”, deklaroi Tarquinio.
Megjithatë, ai theksoi se hapja dhe negocimi i kapitujve nuk mjaftojnë, pasi reformat e miratuara duhet të zbatohen konkretisht në terren.
Tarquinio u ndal edhe te klima politike në Shqipëri, duke kërkuar më shumë bashkëpunim mes mazhorancës dhe opozitës.
Sipas tij, një klimë politike më e qetë dhe bashkëpunuese do t’i dërgonte Bashkimit Evropian dhe vendeve anëtare një sinjal pozitiv për funksionimin e institucioneve shqiptare.
“Është e qartë që ka debate mes pozitës dhe opozitës, por është nevoja për një klimë më të qetë”, u shpreh ai.
Përfaqësuesi evropian e cilësoi Shqipërinë si një demokraci “të re, të fortë dhe të gjallë”, ndërsa theksoi se institucionet e BE-së po ndjekin me vëmendje zhvillimet në vend.
Tarquinio nënvizoi gjithashtu se zgjerimi kërkon përgatitje nga të dyja palët dhe se përpjekjet e Bashkimit Evropian duhet të koordinohen me ato të Shqipërisë.



