Një aksident tragjik ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Pezë të Tiranës, ku një 16-vjeçar ka humbur jetën dhe një 15-vjeçar ka mbetur i plagosur.
Sipas të dhënave të raportuara, dy të miturit po udhëtonin me makinën e babait të 16-vjeçarit, ndërsa dyshohet se mjeti ishte marrë pa dijeninë e tij.
Gjatë lëvizjes, automjeti ka dalë nga kontrolli, është përplasur me skarpatën anësore të rrugës dhe më pas është përmbysur.
Aksidenti ka rezultuar fatal për 16-vjeçarin, ndërsa 15-vjeçari ka mbetur i plagosur dhe është transportuar në spital për ndihmë mjekësore.
Policia po vijon hetimet për të sqaruar plotësisht dinamikën e ngjarjes dhe se cili prej dy të miturve ka qenë në drejtimin e automjetit në momentin e aksidentit.



