Një debat i tensionuar është regjistruar mes deputetit Erion Braçe dhe disa qytetarëve pranë një pike ku po mblidheshin firma për referendum.
Pamjet janë publikuar nga Lëvizja “Shqipëria Bëhet” në rrjetet e saj sociale.
Sipas përshkrimit të publikuar nga kjo lëvizje, Braçe ka kaluar pranë pikës së mbledhjes së firmave dhe është ndalur për të pyetur qytetarët se për çfarë kishin nevojë.
Në vijim, sipas versionit të bërë publik nga “Shqipëria Bëhet”, qytetarët i janë përgjigjur se po firmosnin kundër ligjeve që, sipas tyre, janë miratuar nga mazhoranca.
Lëvizja pretendon se pas kësaj Braçe është irrituar dhe debati ka kaluar në tone të forta, deri në përdorimin e një shprehjeje fyese ndaj njërit prej qytetarëve.
Në videon e publikuar dëgjohet një përplasje verbale, ndërsa situata duket e tensionuar.
Përmes postimit të saj, Lëvizja “Shqipëria Bëhet” e ka paraqitur episodin si një reagim të ashpër të deputetit ndaj kritikave të qytetarëve.
“Nuk di çfarë priste t’i thuhej Braçe, që u irritua aq shumë, sa kaloi në kërcënime, por diçka është e sigurt, sa kohë kanë shkelur me këmbë këtë popull, e vërteta do i ndjekë kudo ku shkelin”, thuhet në reagimin e publikuar.
Në fund, duhet theksuar se këto janë pretendimet e qytetarit dhe të Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, të publikuara përmes rrjeteve të tyre sociale.



