Gazetari Çim Peka e fton Belinda Ballukun të rrëfehet në studion e tij dhe i jep 2 javë kohë që ta marrë këtë vendim, ndryshe sipas tij do të jetë vonë. Kjo pasi sipas Pekës, pozitat e saj po rëndohen pas sulmeve mediatike që kanë nisur ndaj saj nga media të rëndësishme, që më parë e mbështesnin. Sipas gazetarit që drejton emisionin Çim Peka Live, Belinda ka rastin të tregojë për kontratat dhe për qeverisjen, por nuk ka shumë kohë në dispozicion, ndaj ajo duhet të nxitojë…
Postimi i plotë i Pekës në llogarinë e tij në FB
BELINDA, FTESA ËSHTË E HAPUR. NË ÇDO KOHË.
Dje e pe sa shpejt ndryshon televizioni kur ndryshon pushteti. Ata që të quanin “Zonja e Hekurt” sot të ndjekin me kamera edhe në palestër. Nesër mund ta bëjnë të gjithë ata që deri dje të rrinin pranë.
Ti e di si funksionon kjo botë. E di kush të mbështeti, kush përfitoi dhe kush tani kërkon të shpëtojë veten duke të lënë vetëm.
Prandaj fol. Trego çfarë di për kontratat, për paratë dhe për njerëzit që merrnin vendimet. Nëse po të bëhet presion të heshtësh, thuaje.
Gjyshi yt nuk arriti ta merrte me vete Enverin. Ti ende mund të tregosh të vërtetën për Ramën. Jeni pjesë e së njëjtës histori pushteti, por nuk ke pse të mbash vetëm ti fundin e saj.
Nëse do të flasësh publikisht pa censurë, ke një ftesë të hapur tek unë. As Rama, as Agasi, asnjë oligark nuk do të vendosë çfarë mund të thuash.
Fol, Belinda. Tani. Pas dy javesh do te jete vone. Me beso!



