Analisti Arjan Curri ka bërë publike detaje të reja mbi takimin mes ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, në burgun e Fierit.
Gjatë emisionit “Top Story”, të moderuar nga Grida Duma, Curri deklaroi se takimi ka zgjatur mbi dy orë dhe se qëllimi i vizitës së Gogut ka qenë përpjekja për të pajtuar Veliajn me kryeministrin Edi Rama, në një moment tensionesh politike.
Sipas analistit, Gogu ka shkuar në Fier jo vetëm në cilësinë e ministrit, por edhe si mik i hershëm i Veliajt, me të cilin ka një lidhje të veçantë personale.
“Gogu është pastori që ka martuar Veliajn. Kanë një lidhje shpirtërore bashkë”, u shpreh Curri.
Ai dha edhe detaje mbi ambientin ku, sipas burimeve të tij, është zhvilluar biseda.
“Takimi është bërë në një divan në formë këndi, ngjyrë kafe. Veliaj është ulur nga krahu i bibliotekës, ndërsa Gogu nga krahu i drejtorit”, deklaroi analisti.
Sipas Currit, biseda ka nisur me çështje personale, përfshirë shëndetin dhe familjen e Veliajt, për të kaluar më pas te zhvillimet politike.
Analisti pretendoi gjithashtu se takimi është regjistruar dhe se përmbajtja e bisedës i është përcjellë kryeministrit. Këto pretendime nuk janë konfirmuar nga institucionet përgjegjëse.
Curri vlerësoi se gjatë takimit mund të jetë diskutuar edhe mundësia që Veliaj të tërhiqet nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës, por jo domosdoshmërisht në formën e një kërcënimi.
“Mendoj se e ka këshilluar se lufta nuk bëhet nga burgu. Nuk mund të drejtosh protestën nga qelia, nuk e drejton dot Tiranën nga qelia dhe nuk e rrëzon dot Ramën nga qelia”, tha ai.
Sipas analistit, marrëdhënia mes Ramës dhe Veliajt po kalon një periudhë të tensionuar dhe vizita e Gogut mund të ketë qenë një përpjekje për të shmangur një përplasje të hapur politike.
“Po ndodh një intrigë e madhe politike. Armiqtë po përgatisin shpatat. Por një pastor si Toni Gogu ka shkuar aty për t’i pajtuar përpara se të nisë lufta e hapur”, përfundoi Curri.
Nga ana tjetër, Toni Gogu e ka konfirmuar publikisht takimin me Veliajn, por ka deklaruar se qëllimi i vizitës ishte njohja me kushtet e trajtimit të tij dhe dëgjimi i ankesave të ngritura nga avokati.
Ministri ka mohuar kategorikisht se i ka përcjellë Veliajt ultimatume apo mesazhe politike.
Deri më tani, kohëzgjatja e takimit, përmbajtja e bisedës dhe pretendimet për regjistrimin e saj mbeten të pakonfirmuara në mënyrë të pavarur.



