Policia e Vlorës ka publikuar bilancin e punës për muajin qershor 2026, duke bërë të ditur se gjatë kësaj periudhe janë evidentuar 254 vepra penale, nga të cilat 240 janë zbardhur, duke arritur një nivel zbulueshmërie prej 94.5%.
Sipas drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, Edvin Ndreu, janë identifikuar 280 autorë të dyshuar. Prej tyre, 65 persona janë arrestuar ose ndaluar, 206 janë proceduar në gjendje të lirë, ndërsa 9 janë shpallur në kërkim.
Gjatë muajit qershor janë zhvilluar pesë operacione policore, të koduara “Strike 5”, “Strike 6”, “Grupi”, “Catch” dhe “The Last Window”. Këto operacione kanë çuar në goditjen e disa grupeve kriminale, arrestimin e personave në kërkim dhe zbardhjen e rasteve të vjedhjeve të banesave.
Në kuadër të këtyre aksioneve, policia ka sekuestruar 6 armë zjarri, 4 armë të ftohta, 138 fishekë luftarakë, mbi 700 doza lëndësh narkotike të llojeve të ndryshme, si dhe katër apartamente dhe një njësi tregtare me vlerë rreth 400 mijë euro.
Në fushën e sigurisë rrugore, gjatë qershorit janë regjistruar 18 aksidente, ku kanë humbur jetën 3 persona. Gjithashtu, janë evidentuar 65 vepra penale që lidhen me shkeljen e rregullave të qarkullimit dhe 42 raste të drejtimit të parregullt të mjeteve. Policia ka vendosur gjithsej 15 607 masa administrative.
Për sezonin turistik, Policia e Shtetit ka shtuar prezencën në zonat bregdetare, duke angazhuar 135 efektivë shtesë në Vlorë, Himarë dhe Sarandë për garantimin e rendit dhe sigurisë.
Ndërkohë, Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin në Vlorë raportoi se gjatë muajit qershor janë përpunuar 202 013 udhëtarë dhe mbi 40 mijë automjete në pikat kufitare.
Kontrollet detare kanë përfshirë 1 555 mjete lundruese, ku 66 prej tyre janë bllokuar për shkelje të rregullave, ndërsa janë vendosur 68 masa administrative me vlerë totale 2.7 milionë lekë.
Policia Kufitare njoftoi gjithashtu se gjatë këtij muaji u është dhënë ndihmë 31 personave në det, në tetë raste të ndryshme, ndërsa janë evidentuar 12 vepra penale që lidhen me migracionin e paligjshëm, krimin ekonomik dhe trafiqet.


