Problematikat në shërbimin shëndetësor në qytete të vogla po sjellin pasoja të rënda tek qytetarët deri në fatalitete. Mamurrasi është prej kohësh pa një ambulancë, dhe kjo ka ndikuar direkt tek humbja e jetës së një qytetari atje.
Kështu ka ndodhur me Gëzim Prendin, të shtunën në darkë.
Pas thirrjes së familjarëve të viktimës për ndihmë rreth orës 21.00 ambulanca ka mbërritur sipas tyre pas 1 ore. Shumë vonë.
Personi që ndihej keq nuk ka mundur të mbijetojë.
Ndryshe do të ishte situata sipas familjarëve të tij nëse Mamurrasi vetë do të kishte një ambulancë. Shërbimi do të ishte ofruar shumë më shpejt dhe viktima do të kishte shanse të jetonte.
Mamurrasi ka të njëjtën popullsi sa Laçi e megjithatë penalizohet për shkak se nuk ka titullin bashki dhe trajtohet si njësi bashkiake.
Spitali i Laçit ka 6 ambulanca, dhe me urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë i ka marrë edhe Mamurrasit të vetmen ambulancë që funksiononte. Aktualisht spitali i Laçit ka 7 ambulanca edhe pse me dy shoferë, ndërsa Mamurrasi vetëm një të prishur prej muajsh.
Nëse drejtuesit e Laçit duan të bëjnë koleksion ambulacash në fakt po penalizojnë banorët e Maurrasit duke i lënë pa këtë shërbim jetik.
Rasti i fundit është një këmbanë alarmi që duhet t’i bëjë autoritetet e shëndetësisë të reagojnë.
Përse mbërriti aq vonë urgjenca, dhe përse Mamurrasi nuk ka një ambulancë.
Kush do të mbajë përgjegjësi për këtë situatë, për humbjen e një jete?!



