Tensione dhe përplasje të dhunshme janë regjistruar mbrëmjen e sotme në Gjeorgji, ku tifozët e skuadrës turke Besiktas janë përplasur me forcat e policisë gjatë ndeshjes kundër ekipit izraelit Hapoel Beer Sheva.
Ngjarja ndodhi në stadiumin e qytetit të Batumit, ku po zhvillohej takimi i vlefshëm për javën e pestë të fazës së ligës në UEFA Europa League.
Sipas raportimeve të mediave turke dhe ndërkombëtare, tensionet nisën pasi disa tifozë të Besiktas shpalosën flamurin e Palestinës në tribunat e stadiumit. Policia gjeorgjiane ndërhyri për të hequr flamurin, duke shkaktuar reagimin e tifozëve turq dhe përshkallëzimin e situatës.
Përplasjet vijuan edhe gjatë ndeshjes, ndërsa forcat e policisë përdorën gaz lotsjellës dhe shkopinj gome për të shpërndarë tifozët. Disa prej tyre raportohet se kanë mbetur të lënduar, ndërsa të paktën një tifoz është transportuar në spital.
Situata u përkeqësua aq shumë sa arbitri Morten Krogh ndërpreu takimin rreth minutës së 25-të dhe të dyja skuadrat u drejtuan drejt dhomave të zhveshjes. Edhe futbollistët e Besiktas iu afruan tribunave në përpjekje për të qetësuar tifozët.
Ndeshja po zhvillohej në Batumi dhe jo në Turqi, për shkak të masave të sigurisë lidhur me përballjen e skuadrës turke me një ekip izraelit.
Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë përplasjet mes tifozëve dhe policisë, ndërsa ngjarja ka shkaktuar reagime edhe nga disa klube të futbollit turk, të cilat kanë dënuar ndërhyrjen e forcave të sigurisë ndaj tifozëve të Besiktas.





















