Një lajm i trishtë ka tronditur Tiranën. Një vajzë 14-vjeçare, e cila prej 10 ditësh luftonte për jetën në Spitalin e Traumës, ka ndërruar jetë.
E mitura ishte shtruar në terapi intensive pas një ngjarjeje tragjike në mbrëmjen e 16 nëntorit, në zonën e Astirit në Tiranë. Që nga ajo ditë, mjekët e Spitalit të Traumës bënë të pamundurën për ta mbajtur në jetë. Për 10 ditë, familja dhe të afërmit jetuan mes shpresës dhe ankthit, por plagët rezultuan fatale.
Lajmi për ndarjen e saj nga jeta ka pikëlluar thellë familjen, veçanërisht nënën dhe gjyshin, si dhe banorët e lagjes ku nëna e saj u rrit. Miqtë, të njohurit dhe shumë qytetarë kanë shprehur ngushëllimet e tyre në rrjetet sociale.
Edhe gazetari Albert Vataj i kushtoi asaj një dedikim prekës. Ai shkruan se, edhe pse nuk e njihte, nuk i mbajti dot lotët për ikjen e saj në moshën 14-vjeçare, duke lënë pas “shumë zemra të thyera”.
Albania Today u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe të afërmve në këto momente të rënda dhimbjeje.
Nëse ti ose dikush që njeh po kalon një moment të vështirë, mos hesht. Fol me një prind, një mësues ose një mik që i beson. Në Shqipëri mund të telefonosh falas në Linjën e Këshillimit për Fëmijë dhe të Rinj, ALO 116 111, ose në rast urgjence në numrin 112.























