Një kompani e lidhur me Besnik Myftarin, një prej emrave të përmendur në dosjen e njohur “Aruba”, rezulton të ketë përfituar afro 100 mijë euro nga fondet publike të dedikuara për mbështetjen e startup-eve.

Bëhet fjalë për shoqërinë “eDoktor” SHPK, e themeluar në dhjetor 2024, e cila ka si ortakë Besnik Myftarin dhe Emil Andonin, secilin me nga 50% të kuotave. Ky i fundit figuron edhe si administrator i kompanisë.

Sipas të dhënave të financimit, në vitin 2025, NIPT-i M42419022T, i kompanisë “eDoktor” SHPK, rezulton përfitues i një granti prej 3,200,000 lekësh për projektin “e-Health Albania”. Një vit më pas, e njëjta kompani rezulton sërish përfituese e financimit shtetëror, këtë herë për projektin “eDoktor”, me një shumë prej 6,466,667 lekësh.

Në total, financimi për të dyja vitet arrin në 9,666,667 lekë, ose rreth 107 mijë euro. Pra, një kompani ku Besnik Myftari është bashkëpronar ka përfituar dy herë nga skema publike e mbështetjes së sipërmarrjeve të reja.

Myftari është një nga personat e përmendur në hetimet e SPAK për dosjen “Aruba”, ku, në komunikimet e zbardhura nga platforma Sky ECC, përmendet me pseudonimin “Beso”. Në materialet hetimore të bëra publike janë ngritur dyshime për ndikimin e tij në çështje që lidhen me interesa biznesi dhe institucione shtetërore.

Përmendja e një personi në një dosje hetimore nuk përbën provë për ndonjë shkelje nga ana e kompanisë dhe as për parregullsi në përfitimin e grantit. Megjithatë, rasti ngre pikëpyetje mbi transparencën dhe verifikimet që shoqërojnë shpërndarjen e parave publike.

Delina Ibrahimaj, në cilësinë e ministres përgjegjëse për politikat e mbështetjes së startup-eve, duhet të sqarojë se cilat kritere janë përdorur për përzgjedhjen e kompanisë, çfarë verifikimesh janë kryer për ortakët dhe nëse institucionet kanë qenë në dijeni të lidhjeve të pronësisë.

Fondet publike të dedikuara për startup-et kanë për qëllim të mbështesin inovacionin dhe zhvillimin e sipërmarrjes. Për këtë arsye, shpërndarja e tyre kërkon transparencë të plotë, në mënyrë që qytetarët të dinë se kush përfiton nga paratë publike dhe cilat janë kriteret e përzgjedhjes.