Turpërimi publik është një nga mjetet e kontrollit që shoqëria ushtron ndaj atyre që kanë pushtet, edhe në vendet më të zhvilluara e demokratike të botës. Shpesh është më i rëndë si ndëshkim, se sa vendimet e drejtësisë, kur dikush kapet në shkelje e abuzim.
Kur zakonisht këtë rol e ushtron media, tendenca është për të gjetur një zgjidhje. Një media tjetër që mbron dhe bën avokati.
Tek ne, të pushtetshmit e kanë pasur më të lehtë ta konstrollojnë, administrojnë dhe neutralizojnë këtë mjet.
Vend i vogël, dikush njeh dikë, i thotë një fjalë dikujt, një pakt, një ujdi, një joshje diku ose presion në anë tjetër, dhe ky instrument nuk ka qënë efektiv.
Por së fundmi, janë shfaqur protestuesit që përveç denoncimit të organizuar në bulevard, ata shpesh nxjerrin kokën si guerrile nëpër rrugica ku u dalin para politikanëve ose pushtetarëve dhe ushtrojnë me gjithë fuqinë e tyre turpërimin publik.
Në fakt kanë qënë shumë efektiv. Disa ankohen se kjo është e dhunshme dhe brutale, por në të vërtetë është një mënyrë për t’i bërë ata që marrin vendime ose kanë rol publik, të jenë më të përgjegjshëm, të mendohen mirë përpara se të firmosin apo votojnë diçka.
Ka pasur raste kur dikush ka aq shumë pushtet sa mund t’ja dalë të menaxhojë problemet me drejtësinë edhe pse me akuza të rënda, por kur një grup të rinjsh i janë shfaqur në rrugë duke i thënë hajdut, aty ka rënë në tokë gjithë aureola dhe autoriteti i tyre.
Këta personazhe që kanë shkëlqimin e sferës së lartë ku kundrojnë, në të tilla rrethana shfaqen primitivë, me fytyrën e tyre të vërtetë.
Ky mjet presioni duket se është themeluar tanimë në ditën e 119 të protestës dhe gjasat janë që të vijojë. Njerëzit kanë fituar kurajo dhe sot janë të pushtetshmit që kanë frikë nga qytetarët e revoltuar e nga ballafaqimi me ta, dhe jo e kundërta.
Kjo është një meritë që aktivistëve u duhet njohur dhe një kontribut që po japin për vendin. Sepse të paktën deri tani, ata po e ushtrojnë këtë mjet presioni në mënyrë gjenuine e të pastër, pa agjendë e të pandikuar e sponsorizuar nga dikush.



