Ish-producenti i fuqishëm i Hollywood-it, Harvey Weinstein, është dënuar me 15 vite burg për sulmin seksual ndaj ish-asistentes së produksionit Miriam Haley, ngjarje e ndodhur në vitin 2006 në apartamentin e tij në Manhattan.
Vendimi u dha këtë të mërkurë në New York, duke shënuar një tjetër kapitull në sagën e gjatë ligjore ndaj 74-vjeçarit, emri i të cilit u bë një nga simbolet kryesore të lëvizjes globale #MeToo.
Weinstein ishte dënuar fillimisht në vitin 2020, por vendimi u rrëzua në vitin 2024 nga Gjykata më e lartë e New York-ut, e cila urdhëroi një proces të ri. Në rigjykimin e vitit 2025, ai u shpall sërish fajtor për sulmin seksual ndaj Miriam Haley.
Përpara dhënies së dënimit, Haley foli në sallën e gjyqit për pasojat që ngjarja dhe proceset e gjata gjyqësore kanë pasur në jetën e saj.
“Sigurisht që nuk mendoja se do të isha këtu përsëri gjashtë vjet pas dënimit të parë. Besoj se ky do të jetë i fundit im”, u shpreh ajo.
Nga ana tjetër, Weinstein kërkoi mëshirë nga gjykata dhe shprehu keqardhje për dhimbjen e shkaktuar ndaj Haley, por vazhdoi të deklaronte se ishte i pafajshëm.
Gjykatësi Curtis Farber, gjatë shpalljes së vendimit, iu drejtua Weinstein duke theksuar se karriera e tij e jashtëzakonshme në Hollywood do të mbetet në hije nga krimet për të cilat është dënuar.
Dënimi prej 15 vitesh shoqërohet gjithashtu me pesë vite mbikëqyrje pas lirimit, ndërsa Weinstein do të duhet të regjistrohet si person i dënuar për krime seksuale.
Ndërkohë, çështjet e tij ligjore nuk kanë përfunduar. Në Kaliforni, një gjykatë apeli ka lënë në fuqi dënimin e tij për përdhunim, por ka urdhëruar rivlerësimin e masës së dënimit prej 16 vitesh.



