Moti i keq pritet të përkeqësohet në Shqipëri në ditët në vijim. Sipas parashikimeve të Institutit të Gjeoshkencave (IGJEUM) dhe Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, nesër, të enjten, një pjesë e madhe e vendit do të përfshihet nga reshje intensive shiu, të shoqëruara me shtrëngata.
Sipas IGJEUM, situata më problematike pritet në qarqet Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër. Të premten, më 27 nëntor, reshjet e forta do të vijojnë në Vlorë dhe Gjirokastër.
Rrezik për përmbytje të lokalizuara ka edhe në zonat urbane të Shkodrës, Kukësit, Dibrës, Lezhës, Durrësit, Vlorës dhe Gjirokastrës, në varësi të gjendjes së kanalizimeve. Reshjet pritet të rrisin prurjet në shtatë lumenj: Drin-Buna, Mat, Ishëm, Erzen, Shkumbin, Seman dhe Vjosë. Në zonat malore nuk përjashtohen vërshimet e përrenjve dhe rrëshqitjet e dheut.
Temperaturat e së enjtes do të luhaten nga 11 deri në 17 gradë në bregdet, nga 12 deri në 18 gradë në zonat e ulëta dhe nga 3 deri në 13 gradë në zonat malore. Era do të jetë mesatare në pjesën më të madhe të vendit, ndërsa në bregdet do të fryjë fort.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile u ka kërkuar bashkive dhe prefekturave të kontrollojnë sistemet e kullimit, të monitorojnë zonat me rrezik dhe të mbajnë në gatishmëri strukturat e emergjencës.




























